E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Vota në 11 maji përtej partive politike, votë për anëtarësimin në BE

TIRANË, 24 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi zot një takim me të rinjtë e qarkut të Gjirokastrës ku edhe u prezantuan kandidatët për deputetë të PS-së të qarkut të Gjirokastrës.

Rama theksoi se një mbështetje e fuqishme për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian është një mesazh i rëndësishëm për ndërkombëtarët se procesi i anëtarësimit nuk do të ndërpritet.

Rama shtoi se se shqiptarët, përtej partive politike, me votën duhet të mbështesin këtë proces.

“Një votë më e fortë sesa thjesht shumica e PS-së është një mesazh për ata në Bruksel se shqiptarët përtej të majtës dhe të djathtës përtej partive po na thonë me votën e tyre që ne e kuptojmë mesazhin tuaj e pranojmë sfidën që na keni bërë të mbyllim negociata në 2027 dhe në të gjithë si popull mbështesim këtë proces dhe duam të bëhemi anëtarë të BE-së. Ne jemi sot forca e duhur në kohën e duhur në vendin e duhur dhe koha e duhur është kjo. Dhe ata duan. Ne kemi qenë tre vite rresht gati ti hapim negociatat. Duhet të jenë të gjithë dakord tani kanë rënë të gjithë dakord që Shqipërinë do ta marrim në BE. Tani kush do të flasë me ata, bufi i kënetës do ta bëj këtë punë mund ta bënte Luli po Luli na krijon problem se e zë gjumi dhe megjithëse ja e shikoni tani e ngjalla i bie fyellit me një vrimë duhet orientuar, tani këtë gjë përtej shkave mund ta bëjmë vetëm ne”, u shpreh Rama.

Rama tha se për këtë proces është e rëndësishme që të gjithë të bien dakord dhe të mbështesin negociatat, sikurse ndodhi gjatë zgjedhjeve të vitit 1992, të cilat ishin një moment historik për ndryshimin e një epoke në Shqipëri.

“Demokratët duhet t’i bien lapsit dhe ta bëjnë për interesin e tyre, si patriotë për interesin kombëtar ta kapërcejnë këtë problem që kanë si pëlqen apo nuk e duan PS-në, këtu është çështja e mbështetjes së fuqisë qeverisës për të bërë negociata. Siç ishte votimi në zgjedhjet e 1992. Është 11 maji votim historik për të ndarë një epokë nga një epokë tjetër që Shqipëria pas qindra vitesh të bëhet pjesë e barabartë e një bashkësie popuj që deri sot që flasim na kanë parë nga lart poshtë dhe i kemi parë nga poshtë lart. Do ti shohim drejtpërdrejt dhe do të kemi të njëjta mundësi, të njëjtat të drejta dhe do të gëzojmë të njëjta privilegje”, u shpreh Rama.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›