E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Thaçi: Smilkovski, spekulimi për shkaqe etnike nuk i shërben paqes në rajon

Sali Berisha dhe Menduh Thaçi / Foto arkiv

Çdo lloj spekulimi, duke i veshur vrasjes së pesëfishtë në Smilkovc të Maqedonisë shkaqe etnike, nuk i shërben aspak paqes dhe stabilitetit në rajon. Ky ka qenë qëndrimi i përbashkët i kryeministrit Berisha dhe kreut të Partisë Demokratike Shqiptare të Maqedonisë, Menduh Thaçi, gjatë një takimi në kryeministri.

Sipas njoftimit zyrtar të shpërndarë nga Këshilli i Ministrave, zhvillimet e fundit në Maqedoni kanë qenë në qendër të bisedës mes Berishës dhe Thaçit.

Të dy palët kanë ripohuar mbështetjen e plotë të të gjitha përpjekjeve për zbardhjen e këtij krimi të shëmtuar dhe vendosjen e autorit apo autorëve të tij para drejtësisë, duke theksuar edhe një herë shqetësimin se çdo lloj përpjekjeje dhe spekulimi, duke i veshur këtij krimi të shëmtuar shkaqe etnike apo të tjera, nuk i shërben aspak paqes e stabilitetit dhe një shoqërie të vërtetë multietnike, e cila ka si objektiv madhor integrimet euroatlantike.

Berisha ka theksuar rëndësinë e jashtëzakonshme që ka implementimi i plotë i kërkesave të marrëveshjes së Ohrit, si kusht themelor për stabilitetin, bashkëjetesën dhe bashkëpunimin midis komuniteteve në Maqedoni dhe për ta zhvilluar këtë vend si një shoqëri multietnike. / G.N.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›