Berisha: Tubimet entuziaste në diasporë janë shpërthime antidiktatoriale

TIRANË, 24 shkurt /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha komentoi sot në një intervistë televizive, takimet entuziaste me diasporën shqiptare në Parma dhe Athinë.
“‘Shpërthime të tilla nuk kam parë as në vitin 1991. Nuk kam parë. Ato janë shpërthime antidiktatoriale”, tha ai.
Berisha u shpreh se një qeveri teknike do të ishte shumë më mirë.
“Shumë më mirë do ishte një qeveri teknike për vendin se njeriu duhet të ketë sensin ose përpjekjen maksimale për të ulur konfliktualitetin brenda vendit”, tha ai.
I pyetur nëse dështoi mosbindja civile, Berisha u shpreh se, “nuk dështoi”.
“Së pari, u fituan në arenën ndërkombëtare tri rezoluta që e damkosën Edi Ramën, i damkosën zgjedhjet në Shqipëri. Ndodhën disa gjëra që e ndryshuan në mënyrë thelbësore situatën. Tri rezoluta në të cilat SPAK-u i Edi Ramës u shpall “prokurori politike”. Zgjedhjet u shpallën fasadë për Edi Ramën. Pra, u arrit një gjë, në një kohë kur në samite flitej për atletet e Edi Ramës”, tha Berisha.
“Pastaj ndodhi përmbysja e madhe. A e dini ju se sot njeriu që më sanksionoi mua, nuk futet dot në godinat federale se u provua ish-kryediplomati u provua një kryegënjeshtar? Ju e dini historinë e letrës. Historia e letrës ishte gjëja më e turpshme”, tha Berisha.
Berisha ka rrëfyer se pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2017, i kishte kërkuar Lulzim Bashës që të dorëhiqej.
Sipas tij, dorëheqja e tij duhej të vinte, sepse Partia Demokratike në 2017 mori humbjen më poshtëruese të saj.
Berisha theksoi se, PD e nisi fushatën e 2017 në mënyrë të shkëlqyer, por pas një jave gjithçka u shkërmoq.
“Unë dhashë dorëheqjen dhe ju garantoj se, nga dita e dorëheqjes deri ditën e thirrjes së foltores, Sali Berisha nuk ka marrë në mënyrë absolute pjesë në asnjë mbledhje të kryesisë së PD, ku unë isha anëtar”, tha Berisha.
“Në vitin 2017 i kam kërkuar dorëheqjen atij. I kam thënë, Lul duhet të japësh dorëheqjen sepse kjo është humbja më poshtëruese që kemi marrë ne, pa asnjë arsye. Filloi një fushatë, për mua të shkëlqyer javën e parë. E vidhisi fushatën, e tërhoqi për hunde Edi Rama, e bëri lolo në fushatë dhe bën hero Ilir Metën dhe dilnin pollet, dhe i vetmi opozitar dilte Ilir Meta që ishte në pushtet deri ditën e fundit. Dhe i kam thënë, kjo është humbje poshtëruese, prandaj për këtë humbje do japësh dorëheqjen dhe ti je lider i thyer”, tha ndër të tjera kreu i PD.
/r.e/