E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama flet në samitin e Ukrainës: Asgjë nuk është njësoj në Shtëpinë e Bardhë, reflektoni!

Për të shënuar 3-vjetorin e agresionit rus në Ukrainë, presidenti i vendit, Volodymyr Zelensky thirri samitn ndërkombëtar të sigurisë. Udhëheqës të Bashkimit Evropian, përfshirë presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, janë të pranishëm.

Kryeministri i vendit, Edi Rama, i është drejtuar me një video përshëndetëse Samitit në Kiev. Rama tha se peizazhi diplomatik për Ukrainën ka ndryshuar rrënjësisht duke pasur parasysh dialogun e Donald Trump me Rusinë dhe u kërkoi liderëve perëndimorë të mos e injoronin realitetin e ri.

Shefi i qeverisë shqiptarë tha se është jetike të diskutohet fakti që Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po bisedojnë veçmas.

Kryeministri shqiptar tha se udhëheqësit po silleshin sikur asgjë të mos kishte ndodhur, kur në fakt në Shtëpinë e Bardhë gjithçka ishte ndryshe.

“Unë mendoj se diçka e rëndësishme ka ndodhur, siç e dini të gjithë, dhe pyetja është se si do të mbështetet Ukraina në mënyrë efikase dhe si Evropa si kontinent, mund të jetë efikase në mbrojtjen e vetvetes dhe për të nxjerrë më të mirën nga diçka që po ndodh, një negociatë mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara”, tha Rama sipas Sky News.

“Unë nuk jam i sigurt që vetëm duke folur për rritjen e mbështetjes ushtarake dhe rritjen e shpenzimeve ushtarake, ne e kuptojmë të gjithë çështjen. Ky është mendimi im modest. Ndoshta e kam gabim.”

Rama u ndal edhe te fakti që Uashingtoni dhe Moska kanë nisur bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje dhe potencialin që Ukraina të shkëputet nga bisedimet dhe t’i imponohet një rezultat i padrejtë.

“Ne kemi qenë prej kohësh në sistemin autopilot amerikan”, tha kryeministri shqiptar.

“Tani ky system autopilot duket i fikur. Askush nuk e di për sa kohë.

“Është koha për një reflektim më të thellë se çfarë do të bëjmë në lidhje me mbështetjen ushtarake apo shpenzimet ushtarake. Sigurisht që është shumë e nevojshme, por mund të mos jetë e mjaftueshme.”

Ai përsëriti se Shqipëria qëndronte plotësisht krah Ukrainës dhe aleatëve të saj.

Por ai tha se kishte disa dyshime për faktin se samiti po trajtonte vetëm gjysmën e problemit, anën ushtarake, dhe jo realitetin e ri politik dhe diplomatik./vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›