Berisha: Uljet e tarifave të telefonit, spektakolare

Kryeministri Berisha deklaroi sot se pas një debati mes qeverisë dhe kompanive telefonike në vend është bërë e mundur ulja e tarifës të telefonisë celulare në vend. Duke folur në mbledhjen e qeverisë, kryeministri berisha theksoi se qeveria do të bëjë gjithçka për qëllim nxitjen e konkurencës së lirë dhe të ndershme.
"Në përpjekjet tona kemi bërë gjithçka dhe do bëjmë që në Shqipëri të funksionojë konkurenca e ndershme. Unë do t`ju jap ju një shembull të funksionimit të saj në fushën e komunikimit që është fusha më jetike. Komunikimi dhe informacioni janë një dhe të pandara. Ndoshta komunikimi dhe revolucioni i madh që ka njohur kjo fushë në 20 vitet e fundit përbën edhe tiparin më thelbësor të zhvillimeve në rrafshin jo vetëm ekonomik por edhe në rrafshnin social dhe më gjerë. Kur mendon që shqiptarët sot disponojnë një shkallë të telefonisë mobile 180 përqind, një nga më të lartat në Europë do të thotë se shqiptarët përfitojnë gjerësisht nga mjetet dhe mundësitë e reja të komunikimit” shtoi Berisha.
Ndërsa e ka cilësuar komunikimin si një nga fushat më sensitive të shpenzimeve, Kryeministri Berisha ka theksuar se uljet që kanë bërë në tarifat celulare janë nga më spektakolarët duke krijuar edhe lehtësim për çdo qytetar shqiptar.
“Ka një përmbysje të madhe të çmimeve në këtë sektor jetik për informimin sepse asgjë nuk është e lidhur më shumë me të vërtetën sesa e drejta e informimit. Këtu kam një shumatore të të dhënave të çmimeve që kanë ekzistuar në vitin 2005 dhe të dhjetorit 2011.Thirrjet nga telefonia mobil drejt rrjetit fiks kanë qenë 53 lekë, janë 11.1 lekë, janë ulur 4.8 herë. Thirrjet drejt rrjetit celular, jo brenda të njëjtës kompani kanë qenë 58 lekë, janë sot 13 lekë, janë ulur me 4.4 herë. Thirrjet ndërkombëtare me parapagesë kanë qenë 141 lekë, janë sot 63 lekë, janë ulur 2.2 herë. Ndryshimet me kontratë për thirrjet brenda rrjetit janë 2.6 herë, rrjetit celular, 2.6 herë, thirrjet ndërkombëtare 1.9 herë” ” shtoi Berisha.
Ai ka kujtuar se Posta Shqiptare po ngre me shpejtësi të gjithë infrastrukturën dhe ajo do të importojë fluksin në sasitë më të mëdha të nevojshme do ta furnizojë me një cmim absolutisht shumë herë më të ulët se ky i operatorëve privat, ndërkohë që në 1710 pika në mbarë vendin do të marrin internet falas.