E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuzat e Dick Martit, Berisha: Ligj të veçantë për hetimin

Qeveria shqiptare miratoi sot një ligj të veçantë për të lejuar grupin hetimor të EULEX-it për të hetuar në Shqipëri në lidhje me akuzat e ish-senatorit Dick Marty për trafik organesh në vendin tonë. Duke folur në mbledhjen e qeverisë kryeministri Berisha theksoi se ky ligj do të bëjë të mundur një hetim të plotë të akuzave të ngritura nga Dick Marty.
 

“Dua të faktoj që këto akuza shumë të rënda që bëhen për udhëheqjen politike të Kosovës por edhe për Shqipërinë të zbardhen me vërtetësinë më të madhe. Ndaj dhe ne, ministria e drejtësisë ka bashkëpunuar me ekspertët e Eulex-it dhe ligji do të bëjë të mundur një hetim të plotë dhe baza ligjore do të japë një mbështetje të fuqishme” ka theksuar Berisha.
 

Ndërsa i ka cilësuar si të pavërteta akuzat e ish-senatorit Dick Marty, kryeministri Berisha theksoi se akuza të tilla nuk janë bërë as në kohën e Sllobodan Millosheviçit.  “Ky dokument bazohet në asnjë fakt evident. Dick Marty ka zgjedhur Fushë Krujën për qëllimet e tij por hetimi do të nxjerrë të vërtetën sepse të akuzosh për një krim të tillë që nuk e ka bërë as Sllobodan Millosheviç i cili s`ka deklaruar se është bërë trafik me organe të marra nga robërit serb të luftës. Do të ketë një hetim të plotë për varrezë masive pasi ky është pretendimi i dytë i Dick Martit, një pretendim i cili duhet të hetohet dhe do të faktojë se ku gjendet ky varr i përbashkët. Aty ku është prentenduar pas lufte kanë ardhur ekipet dhe kanë gjetur fshatarë në shtëpitë e tyre dhe s`kanë gjetur gjurmë të një varrize masive” shtoi Berisha.

Ai ka shtuar më tej se ky ligj shpreh qëndrimin e Shqipërisë për hetim të plotë të kësaj çështje ndërsa shtoi se akuzat e ngritura ndaj shqiptarëve janë primitive dhe përsërisin klishera historike që nuk i bëjnë nder askujt.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›