E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Universitetet të rendin drejt cilësisë

Cilësia dhe liria akademike, kanë qenë kryefjala e kryeministrit Berisha në konferencën e organizuar për renditjen e universiteteve. Duke bërë të qartë, se cilësia mbetet prioritet në arsimin e lartë, Berisha theksoi se universitetet duhet të rendin pas cilësisë e cila sipas tij, është kushti vendimtar për lirinë akademike.

“Duhet të rritet cilësia e sistemit arsimor. Asnjë cilësi nuk është njëherë e përgjithmonë e dhënë. Duhet të biem dakort se cilësia si kushti më vendimtar ka lirinë akademike. Liria akademike do të thotë mosndërhyrja e qeverisë në universitete. Ju garantoj se qeveria është e vendosur të konsolidojë qëndrimin më të hapur ndaj jush. Liria akademike e rektorit, mund të cenohet nga ministri dhe nuk duhet të cënohet në asnjë mënyrë. Liria akademike e dekanit mund të cënohet nga dekani. Kur flitet për liri akademike, flitet për liri akademike të pedagogut”, u shpreh Berisha.

Po ashtu gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë ka deklaruar se në sistemin tonë arsimor janë bërë ndryshime rrënjësore dhe se në një periudhë të shkurtër kohore, është trefishuar numri i studentëve në universitetet tona.

“Ky proces është hap i rëndësishëm, i domosdoshëm. Në garë ka tregues dhe duhet t`i pranojmë”, nënvizoi ndër të tjera ai. I pranishëm në këtë konferencë ka qenë edhe Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, i cili ka sqaruar projektin e akreditimit të universiteteve private në vendin tonë. Sipas tij, në projektin për renditjen e universiteteve, janë përzgjedhur katër fusha, ku studentët mund të informohen për programet e studimit në universitetet private.

“Sistemi i arsimit ka pësuar një moderim, ai është përshtatur me kushtet e arsimit të lartë në Shqipëri. Ndërkohë që ne po përgatisim paketën financiare”, nënvizoi ai, ndërsa ka shtuar se akreditimi është bërë sipas standarteve dhe cilësisë së universiteteve.
 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›