Berisha: Vendimi për shtetësinë ka tërbuar albanofobët, të cilët i tmerron bashkimi i shqiptarëve
Kryeministri në largim, Sali Berisha, duket se tashmë e ka bërë praktikë përgjigjen e pyetjeve për fansat e tij në Facebook. Duke iu përgjigjur njërit prej tyre, ai ka shpjeguar vendimin për dhënien e shtetësisë shqiptare. Ai ka thënë se ky vendim ka tërbuar albanofobët shqiptarë (i referohet mazhorancës së re) dhe jo shqiptarë, të cilët, sipas Berishës, i tmerron bashkimi i shqiptarëve.
Vendimi i qeverisë shqiptare për dhënien apo fitimin e shtetësisë shqiptare dhe të gjitha vendimet e kësaj qeverie janë plotësisht kushtetuese përveçse për ata të cilët revanshi i bën qesharak, madje i çon larg e me larg gjeri në Bangladesh dhe besojnë se nuk janë zgjedhur për një mandat 4 vjeçar, siç sanksionon Kushtetuta e Shqipërisë, por 4 vjet dhe tre muaj?! Kjo është punë e tyre. Vendimi për dhënien dhe fitimin e shtetësisë është vlerësuar lart nga shqiptarët kudo në botë, por dhe siç dihet ai është pritur me tërbim të vërtetë nga albanofobët jo shqiptarë dhe shqiptarë. Këta të fundit, të denatyruar nga çdo ndjenjë kombëtare, kanë tmerr ndaj çdo hapi që i afron e bashkon shqiptarët njëri me tjetrin, shprehet Berisha.
Sipas tij, nuk është hera e parë që albanofobët shqiptarë dhe jo shqiptarë kanë ndërmarrë sulme ndaj shqiptarëve.
Ata në çdo rast janë të gatshëm të bëjnë kauzë të përbashkët me albanofobët jo shqiptarë në mbështetje të këtyre të fundit. Kështu në rastin e Rrugës së Kombit albanofobët jo shqiptarë përdoren të gjitha mekanizmat kombëtare dhe ndërkombëtare që kontrollonin për të mos e lejuar ndërtimin e saj, e cila sipas tyre do të dëmtonte thellë gjeopeshën e porteve të vendeve të rajonit. Në mbështetje të tyre shqiptarë apatride bënin çdo gjë për ta bllokuar rrugën dhe e shpallën atë si rruga e asgjëkundit. Por rruga u ndërtua, albanofobia dhe albanofobët nuk kanë të ardhme. Vendimi i fundit i qeverisë shqiptare për dhënien ose fitimin e shtetësisë është aq kushtetues saç është shqiptare Kushtetuta e Shqipërisë, e cila përcakton qartë detyrimet e shtetit shqiptar ndaj shqiptarëve kudo në botë. Mirëpo albanofobët njohin vetëm një Kushtetutë, atë të fobisë dhe urrejtjes ndaj shqiptarëve dhe midis tyre si për të më rikujtuar një proverb latin që thotë se çobani i bagëtive të egra është më i egër se vetë ato më të egrit, më zelltarët janë shqiptarët apatridë, tha Berisha.
Ai ka thënë se vendimi për njohjen e shtetësisë është i vonuar, pasi këtë gjë e kanë bërë të gjitha vendet e rajonit.
Vendimi i fundit i qeverisë shqiptare për dhënien apo fitimin e shtetësisë fatkeqësisht është tejet i vonuar. Një vendim të këtij lloji për pakicat dhe bashkëkombësit e tyre e kanë marrë vite më parë pa përjashtim të gjitha vendet e rajonit dhe më gjërë si: Greqia, Hungaria, Maqedonia, Rumania, Bullgaria, Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi, etj. Madje Greqia, e ndofta ndonjë vend tjetër, u paguan pensione të moshuarve me origjinë greke në Shqipëri. Mirëpo në këto vende nuk ka, ose ka fare pak njerëz me fobira ndaj kombit të tyre si tek ne. Prandaj dhe askush nuk ka protestuar, në të kundërt kanë mbështetur unanimisht brenda dhe jashtë vendit vendime të tilla, është shprehur Berisha.
Ai ka riktheksuar ndërkohë së kjo marrëveshje nuk do të zbatohet me Kosovën.
Por vendimi i qeverisë shqiptare në kushtet e sotme kur Kosova është vend i pavarur me mbi 94% të qytetarëve të saj shqiptarë nuk mund të shtrije kurrsesi veprimin e tij në Republikën e Kosovës dhe në qytetarët e saj me banim në Kosovë. Kjo detyrimisht kërkon një marrëveshje të veçantë midis qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës për këtë çështje, përfundoi Berisha, duke thënë se vendimi për nënshtetësinë do të fillojë të zbatohet në fund të korrikut./b.l