Agron Tufa: PD ka tradhtuar të djathtën
Shkrimtari Agron Tufa, që është njëkohësisht drejtor i Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit, shprehet se PD ka tradhtuar të djathtën dhe i ka ikur misionit të saj historik.
Të marrim elitat politike në radhët e PD-së. Mendoj se i kanë ikur misionit historik që duhej të merrnin mbi vete, si përfaqësues të së djathtës, për t’u marrë seriozisht me plagët e shtresës së të persekutuarve të regjimit komunist. Kanë zvarritur dhe trajtuar shkel e shko problemet e pronarëve të vërtetë, në një kohë që nuk ju falet mosmiratimi ende i një ligji efikas për lustracionin, duke e lënë Shqipërinë si vendin e vetëm ish komunist pa një ligj të tillë, ka thënë Tufa për DW.
Elitat politike të së djathtës, vazhdon Tufa, nuk kanë bërë atë që duhet për dekomunistikimin e shoqërisë dhe të simboleve.
Sa i takon elitave të krahut të majtë, ato për shumë kohë kanë qenë afër trashëgimisë komuniste të ish Partisë së Punës. Ata janë treguar alergjikë për të folur për të shkuarën diktatoriale të Shqipërisë dhe kanë bërë rolin refraktar në demokratizimin e vendit. Vetëm në këto dy vitet e fundit, diçka kanë nisur të marrin seriozisht në rivlerësimin e së shkuarës. Dëshira e të dy krahëve të politikës mendoj se është rruga e lehtë për tek pushteti, mbajtja për një kohë të gjatë e tij dhe përfitime sa më shumë nëpërmjet korrupsionit. Këto janë pengesa thelbësore për demokratizimin e brendshëm të partive kryesore, për qarkullimin e elitave./b.l