Berisha: Vetëm dy ditët e fundit janë katër atentate në një vend ku në krye të rendit është politikani më i lidhur me krimin

Kreu i Rithemelimit të PD Sali Berisha, akuzoi ministrin e Brendshëm Taulant Balla, si politikani më i lidhur me krimin në historinë 32-vjeçare të Shqipërisë.
Duke folur para përkrahësve të tij nga banesa ku ndodhet në kushtet e arrestit shtëpiak, zoti Berisha shprehu shqetësimin për nivelin e lartë të krimeve në vend.
“Asnjë vend ish-komunist, në të cilin diktaturat u përmbysën, nuk pësoi pas 32 vitesh si Shqipëria, rivendosjen e një diktature më të keqen, më të shëmtuarën, më të pamëshirën midis të gjitha diktaturave. Diktatura e bazuar në aleancën e pushtetit me krimin, nuk ka burgje dhe kampe përqendrimi, por ka prita dhe breshëri kallashnikovi, ka thika dhe rrëmbime çdo ditë dhe çdo natë në rrugët dhe sheshet e Shqipërisë.
Vetëm dy ditët e fundit janë katër atentate në një vend ku rendi është në duart e krimit” tha ai.
Ndonëse nuk e përmendi me emër ai vuri në fokus ministrin e brendshëm Taulant Balla, i ciili tha se është njeriu, është politikani më i lidhur me krimin në historinë 32-vjeçare të Shqipërisë.
Berisha tha se “Beteja pa kthim e opozitës shqiptare është një betejë historike. Është një betejë epike, e pashembullt në historinë e Europës pas rënies së Perdes së Hekurt”.
/ rtsh.al /