Berisha: Zgjedhjet më të grabitura dhe të plaçkitura në historinë e Shqipërisë

Sali Berisha mesa duket nuk planifikon të dorëhiqet dhe “të dorëzojë” Partinë Demokratike dhe pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 11 majit. Teksa numërimi i votave po shkon drejt fundit, PS ka të konsoliduara 82 mandate.
Në një konferencë për mediet, kryedemokrati theksoi se beteja për votën e lirë do të vijojë, duke lënë të kuptohet se kjo “betejë” do të udhëhiqet po nga ai.
Berisha: Këtë betejë deri në fitore ai që e nisi dhe do ta bitisë. Beteja për votën e lirë…asgjë nuk mund ta ndalë PD për këtë betejë. Zgjedhjet e 11 majit u diktuan që të gjitha nga krimi, bandat kriminale të qeverisë ishin aktive në 10 qarqe të bashkisë ,në 20 bashki të vendit dhe ato patronuan 30 deputetë të mazhorancës kriminale. Skenat që ju patë në Vorë, ku banda e Xhabaftit diktoi në mënyrë të dhunshme vullnetin e qytetarëve të Vorës në të cilat kryebanditi Blendi Xhavbafti mori vota 10 herë më shumë se kandidati i dytë në listë. Kuptoni vetë se si janë zhvilluar zgjedhjet. Por skena si Vora ishin të zakonshme në një seri qarqesh dhe bashkish të tjera, Durrës, Peshkopi, Elbasan, Fier dhe në zona të tjera. Pra në çdo aspekt këto ishin zgjedhjet më të grabitura, më të plaçkitura dhe më të dhunuara në historinë e Shqipërisë pluraliste.
Zgjedhjet e 11 maji u karakterizuan nga blerja publike më masive në gjithë historinë, zarfi me 100 euro i dërguar në mes të fushatës elektorale dhe amnistia e 200 mln euro gjoba dhe kamata nga viti 2015-2025 është blerja më e fuqishme që ka ndodhur në historinë e vendit. Dhjetëra mijëra hektarë kanabis që u dhanë licencat për tu mbjellë, çdo bimë kanabis me prodhim fitimi 1000 euro është përllogaritur për blerje votash në mënyrën më të pamëshirë./vizionplus.tv