E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Zgjedhjet përmbushën standardet e nevojshme

“Këto zgjedhje u zhvilluan në prani të numrit më të madh të vëzhguesve shqiptarë dhe ndërkombëtarë dhe nuk besoj të ketë një qytetar të këtij vendi që të mos pranojë se këto zgjedhje ishin më të mirat që vendi ka njohur ndonjëherë”, u shpreh Berisha, në një intervistën e tij për REL.
      
Sipas tij, “standardet janë një problem, që edhe në vendet më të zhvilluara nuk është se arrijnë përsosmërinë, duhet gjithmonë kujdes për to që të përsosen. Unë nuk them se ishin të përsosura standardet, them se ka vend për t’u përmirësuar dhe do të përmirësohen".
       
Kryeministri veçoi faktin se çdo mandat i këtyre zgjedhjeve u votua 7 me 0 nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pra nga të gjithë komisionerët, pavarësisht përkatësisë partiake.
     
Duke u ndalur tek kërkesa e opozitës për zgjedhje të parakohshme, Berisha pohoi se “është një kërkesë e natyrshme. Çdo opozitë ka një dëshirë që ditën e parë që instalohet në Parlament, mendon se si mund të realizojë zgjedhje të parakohshme. Por, gradualisht, opozita do ta kuptojë se provokimi i zgjedhjeve të parakohshme është një pamundësi, në një mënyrë në rrafshin kushtetues, pasi siç dihet, Kushtetuta sigurisht që ka Parlamentin, institucionin më kryesor të vendit, por edhe Kryeministrit i ka dhënë mbrojtjen e nevojshme që të mund të qeverisë”.
      
Në këtë kontekst, tha Kryeministri Berisha, kjo mbetet një aspiratë për opozitën. "Mbetem i hapur që të bashkëpunojë me opozitën. Pavarësisht nga kërkesa e saj për zgjedhje të parakohshme, e garantoj opozitën se do të bëj çdo përpjekje që të procedojmë së bashku për reforma të mëdha, që nevojiten për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian”, theksoi ai.
     
I pyetur nëse këtë vlerësim pozitiv do ta reflektojë edhe raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR-it, vëmendja e të cilit do të përqendrohet tek procesi i numërimit që zgjati plot një javë, Berisha tha se, “se çfarë do të thotë raporti, ajo është në tagrin e tyre. Unë nuk mund të paragjykoj, as të ndërhyj. Është e vërtetë që zgjati, por është e vërtetë që këto zgjedhje u certifikuan në kohën më të shkurtër se të gjitha zgjedhjet që Shqipëria ka zhvilluar deri më sot”.
     
Duke bërë një paralelizëm me zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, ai kujtoi se “në vitin 2005 zgjedhjet u çertifikuan në fund të gushtit. Por, ka pasur zgjedhje tjera, zgjedhjet lokale dhe të tjera, çertifikimi i të cilave ka zgjatur dhe tre muaj”.
     
“Mendoj se qytetarët shqiptarë votuan të lirë, pa asnjë lloj trysnie në qendrat e votimit", tha Kryeminstri, duke shtuar se “ votat e tyre janë numëruar me korrektësi dhe cilido që dyshon në korrektësinë e këtij procesi, është i ftuar të shkojë të marrë filmin, siç e mori zoti Rama dhe t’i rinumërojë. Po ta bëjë këtë, do të gjejë se numërimi ka qenë korrekt".

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›