E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha Zhvillimet ne Parlament mese normale

Kryeministri Sali Berisha deklaroi se zhvillimet e fundit në Parlamentin shqiptar ishin mëse normale dhe se opozita kreu taktikën e saj politike gjatë procesit të zgjedhjes së anëtarit të ri të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

"Unë i konsideroj zhvillimet në Parlament, si më normalet. Për një post u paraqitën dy kandidatura dhe unë kam vecse respekt për opozitën që paraqiti kandidaturën e vet. Opozita ka të drejtat e taktikave të veta politike dhe kërkoi që të mos viheshin firma në fletët e votimit, sepse kishte frike se mos viheshin shenja. Për të shmangur cdo obsesion ndaj shenjave ju referuam butonit, me votim të fshehtë. Opozita taktikoi dhe mori vendimin e vet, gjë që është krejt normale", tha Berisha.

Shefi i qeverisë e konsideroi atë çfarë ndodhi në parlament, si një furtunë në një gotë uji. Deklaratat e kryeministrit u dhanë gjatë një konference për media me homologun e tij çek, Petr NeCas.

Kryeministri çek: Mora premtimin e Berishës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me CEZ

Kryeministri NeCas premtoi mbështetjen e vendit të tij për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Vizita e tij vjen në një kohë kur qeveria shqiptare ka krijuar mosmarrëveshje të thella me kompaninë CEZ, e cila është pronare e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike. CEZ pretendon se Shqipëria ka shkelur një deklaratë që shoqëroi privatizimin e Shpërndarjes në vitin 2009, në bazë të së cilës, garantonte çmime fundore më të larta se sa kostoja për energjinë elektrike.

“Investimet në energjetikë janë të rëndësisë së veçantë,” tha NeCas në konferencën e përbashkët për shtyp.

Pyetur nga gazetarët në lidhje me situatën e CEZ, kryeministri Çek NeCas tha: “Interesi jonë është që investimi i CEZ të jetë i suksesshëm. Jam siguruar sot nga kryeministri Berisha që ky proces të dalë i suksesshëm. Ne kemi marrë parasysh që ka patur shumë mosmarrëveshje dhe shpresojmë që këto mosmarrëveshje të zgjidhen. Besoj se zgjidhja e këtyre problemeve do të jetë një sinjal i mirë edhe për Europën Perëndimore, e cila do të duhet ta shohë këtë si një sukses i madh. Z. Berisha më ka premtuar se këtë situatë do ta zgjidhë.”

Berisha tha se “marrëdhëniet komplekse të CEZ me faktorët e tjerë në Shqipëri është trajtuar nga të dy palët gjerësisht gjatë kësaj periudhe. Besoj se po shkohet drejt zgjidhjes së problemeve. Kam besim të plotë në kapacitetet e mëdha investuese dhe menaxhuese të CEZ.” 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›