E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha akuzon presidentin Begaj: Shkeli Kushtetutën, pasi është kukull e Ramës

Kryedemokrati Sali Berisha akuzon presidentin Bajram Begaj si instrument politik në duart e kryeministrit Edi Rama.

Në rrjetet sociale, z. Berisha thekson se Begaj ka kryer një akt antikushtetues duke dekretuar edhe ministren virtuale të Qeverisë Rama.

“Në një rast unik në historinë e botës, më saktë, në komedinë botërore, kukulla e Edi Ramës, Presidenti Begaj, me propozimin e kryetarit të PS, Edi Rama, me dekretin e djeshëm presidencial emëroi, përveç kryeministrit, edhe Ministrin Virtual të Inteligjencës Artificiale, apo Diella Ramën, nën përgjegjësinë e Kryeministrit për krijimin dhe funksionimin e saj. Kështu, duke shkelur Kushtetutën dhe në fyerje të inteligjencës, shtohet një dëm kushtetues që është deklarimi si në asnjë vend tjetër të botës se Diella është ministre,” shkroi kreu i demokratëve.

Sipas z. Berisha, ky rast, që duket “qesharak”, krijon “një precedent serioz ligjor, një shkelje serioze të rëndë e germës dhe frymës së Kushtetutës, të shtetit ligjor dhe institucioneve të tij.”

“Ky ministër virtual, jo-njerëzor, jo-personal, shfaqet në një dokument kushtetues të narkoshtetit, siç është dekreti presidencial që emëron kryeministrin, dhe kjo vetëm e vetëm që Ramaduro vetë të mos vjedhë më duke keqpërdorur Lubinën, Mirlindën etj., por tani t’i vjedhë të gjitha me Diella Ramën, hajduten e padukshme të emëruar me dekret presidencial,” shtoi z. Berisha.

Sipas opozitës, dekreti i Presidentit bie ndesh me nenet 96, 97, 102 dhe 103 të Kushtetutës, e cila sanksionon se si ministër mund të emërohet një shtetas shqiptar që ka mbushur mbi 18 vjeç dhe që është i aftë mendërisht.

“Diella”, sipas opozitës, nuk mund të shndërrohet në një akt juridik të shtetit shqiptar.

Gazetare: Anisa Kadesha

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›