Kuvendi nis punimet, opozita bllokon foltoren. Vasil Llajo hap seancën: Koha për politikë të pjekur. Deputetët betohen në orën 17:00

Kuvendi i Shqipërisë nisi sot (12 shator) zyrtarisht Legjislaturën XI. Seancën e parë e hapi deputeti socialist Vasil Llajo, si më i vjetri në moshë, pasi këtë rol e refuzuan Sali Berisha dhe Tritan Shehu.
Seanca u shoqërua me tensione, pasi opozita e bllokoi disa herë foltoren dhe refuzoi të propozojë tre emrat për komisionin e përkohshëm që do të verifikojë mandatet e deputetëve të zgjedhur më 11 maj. Kjo bëri që mazhoranca të miratojë me votat e saj 6 anëtarët e vet në komision.
Tre deputetet më të reja në moshë – Marjana Koçeku, Zegjine Çaushi dhe Klodjana Çapja – u zgjodhën si Sekretare të përkohshme të Kuvendit deri në formimin e Byrosë.
Seanca u mbyll për të rinisur në orën 17:00, kur pritet të bëhet edhe betimi i 140 ligjvënësve.
Në fjalën e tij, Llajo bëri apel për bashkëpunim mes forcave politike për “misionin kombëtar”, siç e cilësoi ai procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
“Ky është një moment solemn, sepse fillon kapitulli i katër viteve të ardhshme, ku do të shkruhet historia e vendit tonë. Jeta politike ndërtohet mbi energjinë e rinisë dhe maturinë e përvojës. Shërbimi ndaj njeriut është rruga më e ndershme që duhet ndjekur edhe në këtë sallë, dhe çdo vendim duhet të ketë në qendër qytetarin dhe dinjitetin e tij. Kjo legjislaturë është e re në përbërje, ku më shumë se gjysma janë ulur për herë të parë në këtë karrige.
Shqipëria është më afër Bashkimit Evropian se kurrë, dhe kjo legjislaturë duhet të tregojë me vepra se vendi është gati për t’u ulur si i barabartë mes vendeve anëtare. Ky është një mision kombëtar, jo vetëm një aspiratë, dhe le të ngremë standarde të reja, duke treguar se dimë të bëjmë politikë të pjekur dhe bashkëpunuese, sepse kemi interesa të vendit për të mbrojtur”, tha Llajo.
Në seancën e planifikuar për orën 17:00 pritet që mazhoranca të propozojë Niko Peleshin si kryetar të Kuvendit. Votimi do të jetë i fshehtë dhe pas shpalljes së rezultatit ai do të mbajë edhe fjalën.
Kryedemokrati Sali Berisha tha se opozita nuk do e votojë Peleshin.
“Absolutisht jo. Të votosh Niko Peleshin aty, është dhjetë herë më mirë se të votosh Kapuranin, apo bandën e tij në Korçë. Kategorikisht jo.Më mirë të vinte ai se, ai të paktën është i sinqertë, jeton si bandit. Kurse ky është bandit me post kryetar parlamenti. Në asnjë mënyrë”, tha Berisha.
Në seancën e parë solemne të Legjislaturës XI të Kuvendit ishin të pranishëm edhe ambasadorë të huaj, përfaqësues dhe krerët e besimeve fetare, si dhe figura të tjera të rëndësishme të jetës publike.
Nga zgjedhjet e fundit parlamentare, Partia Socialiste do të përfaqësohet me 83 mandate deputetësh, të cilët për shkak të numrit të lartë janë ulur edhe në anën e “djathtë” të Kuvendit për herë të parë. Partia Demokratike dhe aleatët kanë 50 mandate, 3 mandate ka Partia Socialdemokrate, 2 mandate Partia Mundësia dhe nga një mandat secila, Nisma Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë.
/rtsh.al/