E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha denoncon paketën fiskale: Rama u shpall luftë bizneseve

Berisha denoncon paketën fiskale: Rama u shpall luftë bizneseve

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka denoncuar paketën e re fiskale të qeverisë Rama, duke e akuzuar atë se po rrit barrën tatimore mbi bizneset shqiptare dhe po rrezikon falimentimin e mijëra subjekteve dhe humbjen e vendeve të punës.

Në një videomesazh nga selia e PD-së, Berisha deklaroi se qeveria parashikon rritjen e taksës mbi dividentin nga 8% në 15%, të tatimfitimit nga 15% në 17%, si dhe uljen e pragut të regjistrimit në skemën e TVSH-së nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore.

Sipas kreut të PD-së, këto masa do të rëndojnë më tej gjendjen ekonomike të bizneseve dhe do të ndikojnë në rritjen e çmimeve për qytetarët.

Berisha pretendoi se ndryshimet fiskale vijnë në një kohë kur, sipas tij, zhvlerësimi i euros dhe dollarit ka dëmtuar eksportet shqiptare, ndërsa prodhimi industrial dhe eksportet kanë shënuar rënie.

“Do të çojnë drejt falimentimit me qindra e mijëra biznese dhe po kështu shkatërrimin e qindra mijëra vendeve të punës”, deklaroi Berisha, duke e cilësuar paketën si një goditje ndaj sipërmarrjes.

Sponsorizuar

Kryetari i PD-së premtoi se, nëse Partia Demokratike vjen në pushtet, do ta anulojë paketën fiskale dhe do të zbatojë një politikë tjetër tatimore.

Sipas premtimit të tij, PD do të vendosë taksën e sheshtë 10%, do ta rrisë pragun e regjistrimit në skemën e TVSH-së në 15 milionë lekë dhe do ta ulë TVSH-në për ushqimet dhe mallrat bazë në 6%.

“Premtoj qytetarëve shqiptarë se Partia Demokratike do të anulojë këtë paketë dhe do të vendosë taksën e sheshtë 10%”, u shpreh Berisha.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›