E Enjte, 5 Nëntor 2026

Berisha dhe PD zyrtare përplasin argumentet mbi situatën

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas incidentit që ndodhi ditën e sotme në ambientet e jashtme të selisë së Partisë Demokratike me Albana Vokshin dhe gratë e tjera të Lidhjes Demokratike të Gruas dhe disa gra të tjera të cilat ishin në mbështetje të Bashës. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale Berisha shkruan se Basha do të mbajë përgjegjësi personale për të gjitha këto sulme.

Reagimi i plotë i Sali Berishës:

Deputeti Lulzim Basha nëpërmjet zëdhënëses së Çoles akuzoi sot Sali Berishën dhe Albana Vokshin se po tërheqin vëmendjen nga afera e incieneratorëve, vetëm për faktin se Albana Vokshi si kryetare e LDGSH shkoi në selinë e Partisë Demokratike për të zhvilluar një mbledhje rutinë, të drejtë të cilën ja kanë dhënë përfundimisht 5 mijë delegatët që i hapën rrugë rithemelimit të Partisë Demokratike. Deputeti Basha për më tepër bëhet qesharak kur bën pyetjen retorike se përse nuk flet për aferën e inceneratorëve Sali Berisha apo ata që e shkarkuan më 11 Dhjetor. Së pari, i kujtojmë deputetit Basha se Berisha ka qënë ndër më të parët që ka denoncuar këtë mega aferë korruptive në një seri statusesh dhe deklaratash nga viti 2015 e në vazhdim. Dita e sotme, pas 4 vitesh të shpërthimit të kësaj afere ka qenë nga ditët e pakta, për të mos thënë e vetmja, kur ai doli personalisht që të fliste për këtë aferë. Edhe sot pas arrestimit të Terr Kokes, Berisha ka publikuar dy reagime të forta ndër të cilat një deklarate shteruese në FB e tij në të cilën fakton në mënyrë të pakundërshtueshme se Terr Koka meriton plotësisht arrestimin por ai nuk është Koka e grupit të organizuar kriminal dhe se Koka e aferës prej 430 milionë Euro të djegësave është Kreu i Meduzës së organizatës kriminale Edvin Rama i ndjekur nga Arben Ahmetaj, Don Agacio (të cilit deputeti Basha nuk i përmend dot emrin) Lal Plehu, Bllako etj. I kujtojmë gjithashtu deputetit Basha se drejtues të departamentit për mjedisin në Partinë Demokratike, kanë pritur më shumë se 2 vite me padi në dorë në derën e Bashës për ta bërë zyrtare këtë padi. Por sa më lart nuk mund të largojë për asnjë moment vëmendjen dhe shqetësimin për sulmin verbal dhe fizik që Lulzim Basha organizoi ndaj zonjave të LDG dhe Komisionit të Rithemelimit! Kjo më shumë se çdo gjë tregon respektin dhe fytyrën e vertetë të Lul Burracakut për figurën dhe rolin e zonjave në Partinë Demokratike! I bëjmë me dije burracakut Basha se do mbajë përgjegjësi personale në përballje me mijëra demokratë, për çdo provokim apo incident që njerëz të paguar prej tij do guxojnë të bëjnë ndaj anëtarëve dhe drejtuesve të Partisë Demokratike.

Nga ana tjetër bëhet me dije se Partia Demokratike ka dalë në një reagim zyrtar mbi këtë ngjarje të ndodhur sot pasdite në ambientet e selisë blu. Fyerjet dhe shpifjet PD i ka cilësuar si mungesë argumenti ndaj komunikimit të Berishës.

“Fyerjet dhe shpifjet ndaj zëdhënëses së PD janë dëshmi e qartë e mungesës se argumentave dhe etikës së komunikimit të Sali Berishës. Mënyrë komunikimi që e shfaqin shpesh dhe një pjesë e pakicës që e mbështesin. Shoqëria shqiptare duhet të ndahet përfundimisht nga politika e vjetër, nga gjuha e urrejtjes dhe e linçimit. Demokratët e kanë bërë zgjedhjen e tyre, ata zgjedhin të ardhmen!”- shkruan PD.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›