E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Çelim fushatën e fitores sonë të re

13-05-2013 / Gazeta 55

E djathta dhe Qendra ndezin sot motorët e fushatës, me prezantimin e ekipit fitues në mitingun madhështor të sheshit “Nënë Tereza”

Nën sloganin “Ne jemi ndryshimi – Përpara”, Partia Demokratike çel sot zyrtarisht fushatën elektorale, për zgjedhjet e 23 qershorit. Për kryeministrin Berisha, fushata për zgjedhjet e qershorit, është ajo që do e çojë PD-në drejt fitores së tretë radhazi. Përmes një njoftimi në rrjetin social “Facebook”, kreu i PD fton të gjithë shqiptarët të marrin pjesë në mitingun dhe koncertin madhështor në sheshin “Nënë Tereza”, i cili i paraprin fitores së madhe. “Të dashur miq! Nesër në ora 19:30, në sheshin “Nënë Tereza”, në Tiranën blu, ne hapim fushatën e elektorale të 23 qershorit. Ftoj qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë që nesër të festojmë dhe të hapim së bashku, në një miting dhe koncert madhështor, fushatën e Fitores sonë të re!”- shkruan Berisha. Koalicioni i djathtë i drejtuar nga Partia Demokratike quhet “Aleanca për Punësim, Mirëqënie dhe Integrim”. Partia Demokratike do të kërkojë votat e shqiptarëve për një mandat të tretë në qeverisjen e vendit në bazë të treguesve dhe arritjeve konkrete gjatë 8 viteve, për projektin Shqipëria vend i zhvilluar. Katër vitet e ardhshme, për Partinë Demokratike do jenë vitet e kompletimit të infrastrukturës rrugore, rritjes së punësimit, rritjes së pagave dhe pensioneve, duke kapur kuotën e vendeve të BE, si dhe anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Projekte këto jetësore dhe që përbëjnë thelbin e programit të Partisë Demokratike për qeverisjen katër vjeçare të Shqipërisë, 2013-2017-të.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›