E Diel, 1 Nëntor 2026

Urrejtja politike e së majtës ndaj kundërshtarit politik, talebanizëm politik në funksion të marrjes së pushtetit me dhunë

13-05-2013 / Nga Rexhep Kastrati

Një debat që zhvillova me dy militante dhe një militant të PS-së në Facebook, para pak ditësh, e që zu fill për shkak të krahasimit të turpshëm që i bëhej një veprimi institucional për të penguar dhunën ndaj institucionit të Këshillit bashkiak të Tiranës nga kamikazët e së majtës së Tiranës, me regjimin serb në Kosovë, më bindi edhe një herë se e majta vetëm emrin ka ndryshuar, por jo edhe mendësinë politike. Debatin që e zhvilloja nëpërmjet celularit derisa pija kafe në një lokal në qendrën historike të Prizrenit, edhe si një lojë fjalësh që deri atëherë më bënte të qeshja me agresivitetin butaforik të dy femrave që në pamje dukeshin të ëmbla, fillova ta marr më me interes kur ato, sidomos njëra nga to filloi të shpërfaqë elemente thelbësore të mendësisë marksiste-leniniste siç janë: trajtimi i kundërshtarit politik si armik, marrja e pushtetit me dhunë dhe gatishmëria për t’u bërë bashkë me gjithësecilin vetëm për të mposhtur kundërshtarin politik. Kjo për faktin se tashmë më shpalosej përpara një platformë e së majtës shqiptare, sikur të kisha përballë vetë Edi Ramën. Zonja që për ironi jeton në SHBA, dhe fliste si një puniste e regjur, nuk e fshihte fare urrejtjen patologjike ndaj kryeministrit Sali Berisha, dhe kjo urrejtje ishte aq e dukshme, saqë shpërfaqej me një fjalor tepër agresiv, kriminal dhe patologjik. Ai, pra Sali Berisha nuk ishte kundërshtar politik, ai ishte armik i urrejtur, dhe kjo urrejtje ishte më e madhe sesa ndaj Milosheviqit që kishte kryer gjithë ato krime, gjithë atë gjenocid ndaj disa popujve në ish-Jugosllavi. Për këtë zonjë, ishte i pranueshëm secili kriminel sado krime dhe gjenocid të ketë bërë ndaj shqiptarëve dhe ndaj të tjerëve, vetëm të mos jetë Sali Berisha në pushtet. Prandaj, ajo arsyetonte të gjitha mënyrat e veprimit, të gjitha mjetet dhe të gjitha mundësitë për ta rrëzuar Berishën. Mua më bënte përshtypje sesa shumë ishte e frustruar kjo zonjë që jeton në SHBA, nga kryeministri Berisha. Sado që e mbaj veten për njohës relativitisht të mirë të teorive politike, të sistemeve politike dhe të filozofive të ndryshme politike në përgjithësi, përfshirë edhe filozofinë marksiste të Marksit, Engelsit dhe të Leninit, megjithatë kur kishe të bëje me një urrejtje kaq të madhe, me një frustrim kaq të madh të një zonje që në mënyrë shembullore shpërfaqte mendësinë e së majtës shqiptare në përgjithësi, nuk mund të mos shtroje edhe çështjen e indoktrinimit të thellë në kufijtë e sociopatisë dhe të psikozave të thella që kërkojnë trajtim të veçantë dhe të vazhdueshëm psikoterapeutik. Me fjalë të tjera, përballë nuk kisha thjesht një zonjë që në pamje dukej shumë e ëmbël, por kisha një pacient të sëmurë mendërisht që ishte gati t’ia fuste flakën gjithçkaje sikurse Neroni, vetëm që kundërshtari politik, përkatësisht armiku, të mos ishte më në pushtet.
Por kjo urrejtje, kjo sociopati u bë më e dukshme kur filloi të fliste për ish-kuvendarë të PS-së që Edi Rama i kishte përdhosur dhe i kishte nxjerrë jashtë nga partia. Për të, Islami, Kadelli dhe Dogjani nuk janë asgjë tjetër veçse, me nder me thënë, jashtëqitje, ani që Islami kishte një kontribut të madh në Partinë Socialiste qoftë si kuvendar, qoftë si ministër, qoftë si sekretar për çështje zgjedhore, i njohur si autori i sistemit aktual zgjedhor që duhej ta nxirrte PS-në fituese në zgjedhjet e vitit 2009, apo edhe Kadeli dhe Dogjani që kishin hyrë në grevë urie për çështjen personale të Edi Ramës. Nuk kishte rëndësi gjithë kontributi i tyre për PS-në dhe vetë Edi Ramën, sepse mendësia marksist-leniniste thotë se nëse je me mua je miku im, nëse je kundër meje je armiku im, edhe pse nuk di që ndonjëri prej tyre të jetë bërë ndonjë herë kundër Edi Ramës. Mirëpo, nuk ishin jashtëqitje vetëm këta, por edhe Fatos Nano dhe gjithë të tjerët që ose ishin larguar vetë nga PS-ja, ose i kishte përjashtuar Edi Rama dhe që ishin pozicionuar kundër tij. Me fjalë të tjera, shkalla e indoktrinimit, e talibanizmit politik kishte arritur shkallën maksimale dhe ishte gati të shpërthente, dhe në fakt, shpërtheu në mënyrë virtuale, pra në Facebook. Dhe mirë që ishte në Facebook, sepse gjithë atë talibanizëm mund ta shuaje me një klik. Dhe ashtu bëri: në pamundësi të kontrollonte veten, zonja e nderuar, vetëm tha: unë luftoj për vota dhe se Berisha do mundet se mosha e bën të veten. Dhe iku.
Ky debat nuk ishte i rëndësishëm në vete dhe pët vete, por për faktin se ishte jehona e tensionimit psikik, moral e politik që ka përfshirë të majtën shqiptare, dhe që është një tensionim që shfaqet sa herë ka zgjedhje. Është kështu, sepse zonja ishte indoktrinuar dhe ishte talebanizuar nga talebanizmi i politik i Edi Ramës dhe të shpurës së tij, sepse së fundit është vetë Edi Rama që po kapet për moshën e Sali Berishës, duke thënë se moshatarët e tij ose janë në botën tjetër, ose janë në pension, ashtu siç us hpreh edhe zonja në fjalë. Dhe vërtet është për të ardhur keq sesa shumë urrejtje, psikopatologji po shfaq ky njeri i sëmurë, e që po e mban të sëmurë tërë opozitën shqiptare. Është për të të ardhur keq, sepse sado që e ka të pamundur të vijë në pushtet nëpërmjet votës, prapë se prapë do të ketë një grup kuvendor që do të vazhdojë të mbajë pezull fatet e kombit, pasi që fati i tërë kombit varet nga avancimi i shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Edi Rama, duke synuar të indoktrinojë, të kamikazojë politikën shqiptare për ta realizuar një talibanizëm politik për të provuar për të marrë pushtetin me dhunë, ai në fakt e ka talibanizuar veten aq shumë, sa që nuk ka më kontroll ndaj vetes. Ai nuk po lë rast pa treguar urretje, talibanizëm, kurse në çdo rast po kujdeset edhe për kamikazizëm, siç ishte sulmi kamikaz ndaj Këshillit Bashkiak të Tiranës, e që në fakt, për mua është një përsëritje e 21 janarit me aktorë të tjerë. Dhe ka përfunduar të merret me moshën e kundërshtarit politik dhe shkodranëve u thotë se Berisha duhet të shkojë se moshatarët e tij ose janë në botën tjetër, ose janë në pension. Por Edi Rama ka harruar, apo nuk ka dashur të kujtojë se kanë qenë të shumtë personalitetet politikë,  që kanë qeverisur suksesshëm jo vetëm në moshën e Berishës, por edhe më të vjetër. Unë nuk e di sesi ka mundur ta ketë ndjerë veten ambasadori italian në Tiranë, apo edhe vetë presidenti italian kur mund të ketë mësuar se një mëtonjës pushteti në shtetin fqinj, shpresën për pushtet e paska vendosur te mosha e kundërshtarit politik, përkatësisht kur ka mësuar se moshatarët e Berishës ose qenkan në botën tjetër, ose në pension, pasi që vetë presidenti italian jo vetëm që është shumë më i moshuar sesa Berisha, por edhe thuajse me një konsensus të gjerë politik është rizgjedhur president i Italisë. Dhe të jesh president i Italisë është një punë e madhe dhe e vështirë pasi që duhet të menaxhosh një vend dhjetramilionësh, me krizë ekonomike, si dhe me një jostabilitet politik dhe institucional. Presidenti Napolitano po mban mbi supet e tij jo vetëm 87 vjet jetë, por edhe tërë hallet e shtetit të tij, të cilit po i shërben si një atdhetar i përkushtuar, si një politikan i rryer dhe si një president i devotshëm, pa i shkuar mendja se duhet të pensionohet. Ndoshta, po ta kishte kundërshtar politik Edi Ramën, do të duhej ta dëgjonte tek thoshte sesi moshatarët e tij, pra të presidentit Napolitano ose janë në botën tjetër, ose janë në pension, apo edhe më keq, ndoshta do ta akuzonte edhe për fashist dhe me gjithë lloj-lloj termash, ashtu siç di vetëm Edi Rama dhe shpura e tij, dhe të cilit duket se po mundohet t’ia kalojë Ilir Meta me përbetimin e tij në Peshkopi për përkatësinë marksist-leniniste me gjithë atë ngjyrë të kuqe. Nuk e di se a do të mundte Kadare t’i quante këta, pashallarë të kuq...

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›