Berisha: Çështja kombëtare, prioriteti im i parë
Në ceremoninë e anëtarësimit të 400 të rinjve tiranas në PD, kryeministri Berisha ka kujtuar se Vizioni i PD, “Shqipëria si Evropa” ka qenë lokomotiva e reformave këto 22 vjet. Në thelb të programit të PD është çështja kombëtare, e cila vjen e para, deklaroi kryeministri, duke tërhequr vëmendjen për albanofobinë, që po qarkullon si një re e zezë në Ballkan
Deklarata/ “Të rinjtë do t’i japin Ramës në qershor, leksionin e vitit 1992”
Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje se çështja kombëtare është në themel të programit të Partisë Demokratike. Gjatë ceremonisë së organizuar në Universitetin e Arteve, për anëtarësimin në Partinë Demokratike, të 400 të rinjve dhe të rejave të Tiranës, kreu i PD-së vlerësoi se “të rinjtë kanë qenë forcë dhe energji e pashtershme në çdo fitore të Partisë Demokratike”.
Për kreun e ekzekutivit, në themel të Partisë Demokratike ishin aspiratat e të rinjve për të qenë pjesë e Evropës, ndërsa shtoi se çështja kombëtare qëndron si yll polar në programin e PD-së. Ndaj kryeministri Berisha u bëri thirrje të rinjve të mbajnë lart interesin kombëtar, kur tashmë jemi në një shekull Pavarësi.
“PD, si asnjë parti tjetër në Shqipëri, por gjithashtu edhe si asnjë parti tjetër e qendrës së djathtë në Evropë, është mbi të gjitha parti e të rejave dhe të rinjve. Gjatë 22 viteve të demokracisë dhe pluralizimit në Shqipëri, të rinjtë kanë qenë energjia e pashtershme, guximi dhe trimëria dhe përcaktuesit e çdo fitoreje të veçantë në PD. PD u themelua në dhjetorin e vitit ‘90 si parti e aspiratave, e idealeve, e ëndrrave kombëtare dhe evropiane të të rinjve shqiptarë. Do të ishin studentët dhe të rinjtë e tjerë të kryeqytetit, që do vendosnin në themelet e partisë së tyre si vizion kryesor të saj, vizionin evropian, Shqipërinë si Evropa. Të rinjtë që mbushën rrugët dhe sheshet e Tiranës në përballje me diktaturën më të egër, do të themelonin PD-në, si parti të interesit kombëtar. PD shpalli në programin e saj si yll polar çështjen kombëtare shqiptare”, u shpreh Berisha.
Kryeministri theksoi se me shpërbërjen e Perandorisë Osmane, fqinjët kanë dashur të na zhdukin, ndërsa ende sot në rajon qëndron si një re, albanofobia.
“Albanofobia është një re që qarkullon në rajon. Fqinjët na shihnin si qytetarë të dorës së dytë dhe të tretë, nuk mund t’i pranojnë shqiptarët si qytetarë të lirë. Sot jemi më të bashkuar se kurrë, çdo pëllëmbë toke është territor në ndërgjegjen e çdo shqiptari. Ata të cilët mendojnë se ne do mund të kemi çështje më të madhe se çështja kombëtare gabohen rëndë, duhet ta dinë mirë se shqiptarët janë adresuar, kanë përjetuar pas hebrenjve racizmin më të egër në rajon dhe më gjerë. Duhet ta dinë mirë se ndaj tyre më shumë se ndaj çdo kombi tjetër janë hartuar paraprakisht programe të shfarosjes së tyre. Ne festuam 100- vjetorin, por imagjinoni që paraardhësit nuk kishin shtet se një perandori që i kishte sunduar për 500 vjet donte t’i ndante, ndërsa fqinjët u vërsulën të tërbuar nën një aleancë të quajtur e shenjtë, që kishte si synim grabitjen e trojeve shqiptare dhe zhdukjen e trojeve shqiptare”, tha Berisha.
Për kryeministrin Berisha, Partia Demokratike ka në vëmendjen e saj dhe do të ketë gjithnjë edhe çështjen e Kosovës, që sot është e lirë falë luftës së UÇK.
“Partia Demokratike mbështeti me të gjithë potencialin e saj, burrin e madh, njeriun prej burrave më të rrallë të këtij kombi Presidentin Ibrahim Rugova, i cili një çështje për të cilën shumë pak flisnin ia doli me mençurinë e tij, me rezistencën e tij, me qëndrimin e tij ta çojë nga Prishtina në dhomën ovale të Bill Clinton. Sot Kosova është e Lirë, UÇK dhe UÇPMB bënë luftën e fundit në Evropë. Shqiptarët qëndruan si komb i vetëm dhe në çdo rast do qëndrojnë si një komb me një qëndrim”, nënvizoi ai.
Të rinjtë, përcaktues të fitoreve të PD
Duke u ndalur te anëtarësimi në PD i 400 të rinjve dhe të rejave të njësisë bashkiake nr. 5, në Tiranë, kryeministri Berisha u uroi atyre mirëseardhjen, duke e cilësuar këtë moment si mjaft të rëndësishëm, pasi sipas tij, shpreh besimin që të rinjtë kanë në këtë forcë politike.
Kreu i PD theksoi se gjatë 22 viteve të demokracisë dhe pluralizmit në Shqipëri, të rinjtë kanë qenë energjia e pashtershme, guximi dhe trimëria dhe përcaktuesit e çdo fitoreje të veçantë në PD.
“Sonte Partia Demokratike e Tiranës, por e gjithë Shqipërisë përjetojnë një ngjarje të madhe, të veçantë sepse në gjirin e saj sot anëtarësohen mbi 400 të rinj dhe të reja. Ky është nderi më i madh për të gjithë demokratët dhe demokratet e Tiranës, dhe gjithë Shqipërisë. Ky është besimi i të rinjve shqiptarë, të rinjve të Tiranës. Ju sot hyni në Partinë Demokratike, por unë mund t’ju them juve me bindjen më të thellë se kjo parti si asnjë parti tjetër në Shqipëri, jo për rastësi, si asnjë tjetër parti e qendrës së djathtë në Evropë është mbi të gjitha parti e të rejave dhe të rinjve shqiptarë. Këto 22 vite, ju të rejat dhe të rinjtë e vendit tim keni qenë energji e pashtershme, guximi dhe trimërie, keni qenë përcaktuesit e çdo fitoreje të veçantë të PD-së”, tha Berisha.
Kryeministri Berisha shtoi më tej se ishin të rinjtë ata që përmbysën komunizmin, ndërsa e sollën PD në pushtet me votë kundër atyre që e kishim marrë pushtetin me dhunë në vitin 1997.
“PD u themelua si parti e vizionit dhe vokacionit evropian e perëndimor të kombit shqiptar, lirive dhe të drejtave të njeriut. Në tërë historinë botërore nuk ka ndonjë komb tjetër në Evropë si shqiptarët, që kanë paguar çmimin më të shtrenjtë dhe kanë qëndruar më fuqishëm duke sakrifikuar për vokacionin e tyre perëndimor. Shqipëria përjetoi gjatë 45 viteve diktaturën më të egër që ka njohur Evropa, shqiptarët për të mbrojtur vlerat e qytetërimit të tyre perëndimor, vuajtën më shumë se çdo komb tjetër. Ata u burgosën dhe internuan vetëm për besimin tek Zoti dhe vlerat e mëdha të qytetërimit perëndimor. Motoja e diktaturës ishte; Shqipëria as lindje, as perëndim. Pasardhësit e komunistëve erdhën me dhunë në pushtet me një rebelim në vitin 1997, por ishit ju ata që përzutë me votë ata që morën pushtetin me dhunë. Ju bëtë mrekulli”, tha Berisha.
Ndërkohë sipas tij, në këtë 100 vjetor të pavarësisë, Shqipëria vjen si vend anëtar në NATO dhe shqiptarët lëvizin të lirë pa viza në hapësirën “Schengen”.
“Janë shënuar marrëdhëniet më të fuqishme kontraktuale me BE-në dhe po ecet drejt integrimit evropian”, theksoi ai.
Duke u ndalur te reformat dhe arritjet e mëdha që janë bërë në Shqipëri gjatë viteve të fundit, Berisha tha se “të gjitha reformat që janë bërë në vend, në tërësinë e tyre janë bërë nga nëpunës të rinj që me përkushtim të madh kanë hedhur në reforma, vizionin e tyre”.
“Në këto vite ne kemi pasur vështirësi serioze, tronditje të pamerituara dhe kemi bërë gabime që duhet të ishin shmangur, por në të gjitha rastet, të rinjtë kanë qenë faktori përcaktues i zhvillimit”, deklaroi Berisha.
Zgjedhjet e 2013-ës, shqiptarët janë përballë alternativës së integrimit dhe asaj të bllokimit
“Të rinjtë do t’i japin Edi Ramës me votë përgjigjen e merituar në zgjedhjet e qershorit 2013”, tha dje kryeministri Berisha, gjatë takimit me anëtarët më të rinj të Partisë Demokratike. Berisha tha se, “beteja e qershorit të vitit 2013 është përcaktuese për realizimin përfundimtar të ëndrrave evropiane”.
“Fushata elektorale në këtë betejë ka dy alternativa: alternativën e integrimit dhe atë të bllokimit. Flamurin e bllokimit e mban opozita, ju mbani atë të integrimit”, iu drejtua Berisha të rinjve të pranishëm në këtë aktivitet.
Ndërsa solli në vëmendje se, “bashkë me përpjekjet për të marrë pushtetin me dhunë në 21 janar 2011, Edi Rama bëri gjithçka për të bllokuar liberalizimin e vizave. Kjo është opozita e bllokimit”.
Ai theksoi se zyrtarët më të lartë të Brukselit, pasi dhanë rekomandimin pozitiv për statusin e vendit kandidat në BE, insistuan në mënyrën më eksplicite dhe kërkuan nga Shqipëria votimin e 3 ligjeve të rëndësishme.
“Edi Rama nuk i votoi këto ligje, për të treguar se është parti e bllokimit, trashëgimtare e atyre që izoluan këtë vend për 50 vite me radhë. Në një kohë kur ndërkombëtarët thonë që duhet të punoni për interesin e vendit përgjigjja e Edi Ramës është: duam Fierin”, vijoi kryeministri.
Duke e konsideruar të papranueshme bllokimin e statusit të vendit kandidat me pretekstin e këshilltarëve të qarkut të Fierit, Berisha tha se, këtë çështje do ta zgjidhin shqiptarët në qershor të 2013.
“Të rinjtë dhe të rejat e këtij vendi do t’i japin Edi Ramës në zgjedhjet e 2013, përgjigjen më të mirë, njëlloj si etërve të tij në ‘92. Edi Rama duhet të kuptojë se nuk mund të bllokojë ëndrrën evropiane të rinisë shqiptare. Në qershorin e vitit që vjen, le t’i japim zotit Rama atë leksion të madh që i dha rinia shqiptare etërve të tij në vitin 1992”, deklaroi kreu i qeverisë, Sali Berisha.