Berisha fshin kritikët/ Frikë nga neni “Basha”, deputetët hiqen nga grupet e komunikimit

Sali Berisha po spastron terrenin nga kritikët në PD përpara mbledhjes së forumeve.
Krahu i tij i djathtë, Flamur Noka ka përjashtuar nga grupi i whatsapp të këshillit kombëtar deputetët që nuk arritën dot të fitojnë mandatin.
Ajo që bie në sy, është se shumica prej tyre janë zëra kritike të Berishës, si Dashnor Sula apo Ferdinand Xhaferaj, kurse të tjerët figura të cilët gjatë përcarjes së PD, zgjodhën të përkrahin Bashën apo Bardhin, dhe jo Berishën.
Megjithëse, sipas statutit të PD, me humbjen e mandatit të deputetit ata automatikisht nuk janë më as anëtarë të këshillit kombëtar, pasi nuk janë zgjedhur me votë si të tjeret, lëvizja e Flamur Nokës pak ditë para mbledhjes së forumeve është një mesazh i qartë.
Me fjalë apo dhe votë, doktori nuk duhet të preket apo t’i përmendet neni Basha, ai që pas humbjes së zgjedhjeve duhet ta kishte larguar si kryetar të PD.
Po ashtu, në mbledhje duhet të votohen urdhërat e doktorit, nga lëvizjet në kryesi, kryetarë komisionesh apo dhe kreu i ri i grupit parlamentar të PD.
Dhe me një PD kaq te tkurrur në numra, mesa duket doktorit nuk i intereson hapja, por vetëm mbyllja, sidomos nga zërat kritikë.
Por qetësia mund t’i prishet edhe nga deputet e rizgjedhur. Eno Bozdo ka bërë thirrje për një këshill pleqsh për reflektimin e PD, megjithse nuk dihet se kush është me plak në moshë e më i vjeter në politikën e PD, sesa vetë Sali Berisha. Nuk dihet gjithashtu pozicionimi i Ervin Salianjit ndaj te cilit vetë Berisha reagon me një farë besdie që kur ai u lirua nga burgu. Por më në fund Berisha nuk ka përse shqetësohet për Gaz Bardhin. I izoluar në Fier dhe i përqeshur në selinë blu për humbjen katastrofike në Fier, yllit dikur në rritje të PD, tani i duhet të kënaqet në heshtje, me një vend nën sqetullën e babit të Zenit.
/ abcnews.al /