E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha fton qytetarët në protestë: Të nderojmë 34-vjetorin e 22 marsit 1992

TIRANË, 22 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i bëri thirrje sot qytetarëve që të marrin pjesë në protestën e opozitës që do të zhvillohet pasditen e sotme.

Pasi ka uruar besimtarët bektashinj për festën e Sulltan Nevruzit, Berisha ka kërkuar nga qytetarët që të dalin në protestë, që të nderojnë në këtë mënyrë 34-vjetorin e 22 Marsit 1992, kur shqiptarët votuan për demokracinë, duke u ndarë nga diktatura komuniste.

“Sot 22 Marsi, dita e Sulltan Nevruzit. Me këtë rast uroj nga zemra të gjithë bektashinjtë shqiptarë në këtë ditë. Shpreh mirënjohjen dhe nderimin tim më të madh për rolin e tyre të jashtëzakonshëm në historinë tonë kombëtare”, tha Berisha.

Kreu i PD-së theksoi se “22 Marsi është edhe një ditë e madhe në historinë e demokracisë në Shqipëri, është dita në të cilën 34 vite më parë, shqiptarët u ndanë nga diktatura komuniste me votën e tyre të lirë. Sot pas 34 vitesh Shqipëria ndryshon si nata me ditën, krahasuar me Shqipërinë e 34 viteve më parë, por përsëri sot ne nderojmë 22 Marsin e vitit 1992, në kushtet e një diktature autoritare, apo autokraci elektorale”.

Ndaj, vijoi Berisha, mënyra më dinjitoze për të nderuar sot 34-vjetorin e 22 Marsit është të dalim të gjithë në shesh, të ngrihemi fuqishëm për të kundërshtuar këtë regjim, për të kërkuar largimin e menjëhershëm të Edi Ramës nga pushteti.

Berisha u shpreh se demokratët do t’i dëshmojnë Edi Ramës dhe botës se nuk pajtohen kurrë me farsat zgjedhore.

“Sot le ta shndërrojmë ne këtë ditë në kryengritjen më të madhe paqësore që ka njohur Shqipëria, përsëri në ditën e shpresës së madhe për shqiptarët, të ardhmes evropiane të tyre”, tha Berisha.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›