E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha i përgjigjet Ramës: Do marr vendime deri në shtator. Ndal sulmet

erla1Tiranë- Qeveria Shqiptare ka reaguar sot mbi thirrjet e kryeministrit në ardhje, Edi Rama për ndaljen e miratimit të vendimeve, duke thënë se është në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit.

Zëdhënësja e qeverisë, Erla Mëhilli tha në një konferencë për mediat se Edi Rama prej ditësh ka ndërmarrë sulme dhe kërcënime ndaj institucioneve kushtetuese të vendit, veprimtarisë normale të qeverisë, vendimeve të saj.

Lidhur me këto qëndrime, shprehje e një revanshi të papërmbajtur të zotit Rama, sqarojmë se Kushtetuta, me nenet e saj 65; 67; 96; 99, përcakton shumë qartë datën e fillimit dhe mbarimit të mandatit të një mazhorancë dhe kryeministrit të saj.

Kështu, sipas nenit 65 të Kushtetutës,  mandati i Kuvendit përfundon të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë dhe data e mbledhjes së parë është data 7 shtator 2009 dhe sipas nenit 67 të saj, Presidenti i Republikës mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës. Pra, Kuvendi i ri nuk mund të mblidhet para datës 7 shtator.

Po kështu, sipas neni 96 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës emëron kryeministrin, pra, pasi mblidhet Kuvendi i ri dhe ky i fundit, sipas nenit 99 të saj,  para fillimit të detyrës bën betimin para Presidentit të Republikës, çka do të thotë  se  mandati i kryeministrit mbaron pas betimit të pasardhësit të tij. Pra, kjo qeveri ka mandat të plotë Kushtetues për të ushtruar pushtetin e saj ekzekutiv në zbatim të programit për të cilin është  votuar  gjer ditën e fillimit të mandatit të mazhorancës së re. Të gjitha vendimet e qeverisë janë dhe do jenë  në përputhje me programin e saj të mandatit që ushtron dhe  të bazuara  në Kushtetutën dhe ligjet e vendit,-tha Mëhilli.

Sipas saj antikushtetuese dhe dëshmi e revanshit të papërmbajtur janë sulmet,  kërcënimet e zotit Rama ndaj institucioneve të vendit si dhe  pretendimi i kryesocialistit për qeveri kujdestare.

Kushtetuta e Shqipërisë dhe e asnjë vendi në Europë, por dhe thuajse në tërësi, me ndonjë përjashtim shumë të rrallë , nuk njohin e nuk parashikojnë qeveri kujdestare, të lidhura me zhvillimin e zgjedhjeve. Ky kuadër ligjor ekziston i sanksionuar në Kushtetutën  e Bangladeshit, e cila 3 muaj para zgjedhjeve  i jep kryesimin  e qeverisë kujdestare kryetarit të Gjykatës Kushtetuese  dhe tepër rrallë në ndonjë vend tjetër, mbi bazë ligjore të përcaktuar mirë.

Kryeministri i kërkon zotit Rama të heqë dorë nga kërcënimet dhe sulmet ndaj institucioneve kushtetuese dhe siguron qytetarët se qeveria në detyrë do vazhdojë normalisht përmbushjen e detyrimeve të saj dhe se Kushtetuta dhe institucionet  e vendit nuk do mund të pengohen, as edhe të ndikohen nga revanshi i papërmbajtur i tij ndaj tyre,-përfundoi deklaratën e saj Mëhilli.

Sakaq Edi Rama dje nga Asambleja e PS-së i bëri thirrje kryeministrit në largim Berisha që të mos firmosë më vendime, sepse sipas kreut të selisë rozë pikërisht ato e kanë çuar vendin në prag të greminës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›