Berisha i përgjigjet Ramës: Në Shqipëri nuk do ketë kurrë më diktat të pakicës
Kryeministri Sali Berisha duket i vendosur për të mos pranuar as të diskutojë në lidhje me zgjedhjen e përfaqësuesve të lartë të drejtësisë me shumicë të cilësuar. Berisha tha se Rama kërkon që të vendosë diktatin e pakicës dhe të zgjedhë zyrtarët e drejtësisë në zyrat e Fidelit
Kryeministri Sali Berisha komentoi në mbledhjen e grupit parlamentar të PD çështjen e imunitetit, duke përsëritur se nëse do ndërhyhet në Kushtetutë, kjo do bëhet vetëm për imunitetet dhe për asgjë tjetër. Berisha duket se nuk ka ndërmend as të diskutojë për ndryshime të mëtejshme, siç sugjeron opozita, që kërkon zgjedhjen me shumicë të cilësuar të anëtarëve të institucioneve të drejtësisë.
Fillimisht Berisha vlerësoi seancën e Këshillit të Legjislacionit, ku ekspertët ndërkombëtarë dhanë mendimet e tyre për draftet e propozuara për heqjen e imunitetit.
Në atë seancë doli e qartë si drita e diellit se drafti i paraqitur nga PD është autentik me draftin e paraqitur nga ekspertët ndërkombëtarë. U konfirmua se drafti ka standardet më të avancuara të kohës. Natyrisht ka vende si Hollanda ku termi imunitet nuk ekziston, tha Berisha.
Për qytetarët shqiptarë me duhet të theksoj se në asnjë nga draftet e mëparshme, të paraqitur nga PD, para këtij të fundit, nuk ka ekzistuar ndryshimi i imunitetit nëpërmjet ndërhyrjes në Kushtetutë. Variantet tona kanë qenë nëpërmjet ndryshimit të ligjeve organike, ligjeve me 3/5 ose ligjeve të tjera, në mënyra që Kushtetuta të mos prekej.
Lëvizja jonë kundërshtarët tanë i nxori tërësisht të pambrojtur. Këtu zoti Rama kushtëzoi heqjen e imunitetit, i cili do lehtësonte e do hapte rrugët katërcipërisht për hetimet. Ajo çfarë është bizare është se Rama e lidh me pazare për drejtësinë heqjen e imunitetit.
Berisha tha se vendi nuk do sundohet më nga pakica, siç ka ndodhur në komunizëm.
Çfarë kërkon Rama në shkëmbim? Kërkon atë që bëri me Avokatin e Popullit, të cilin e mbajti dy vjet pa kryetar. Kërkon që krerët e Gjykatës së Lartë, të Kushtetueses, Prokurori i Përgjithshëm të emërohen me mekanizmin e ombudsmenit. Kjo do të thotë zgjedhje e tyre në zyrat e Fidelit, ose mbetje e institucionit pa kokë.
Ky vend për 45 vite është drejtuar nga një pakicë. Ka ikur kjo kohë. Në rast se do bëjmë siç thotë Rama, kërkesa tjetër e tij do jetë kryeministër me 84 vota. Po nëse kreu i KLSH, Prokurori i Përgjithshëm, gjykatësit emërohen nga pakica, atëherë pse të mos emërohet edhe qeveria nga pakica. Ky është varianti i diktatit të pakicës mbi shumicën.
Rama e mban peng imunitetin për shkak të një kupole të ngushtë, tre- katër vetë në parti. Me këtë qëndrim ajo parti i largohet horizontit të marrjes së pushtetit, tha Berisha.
Unë i bëj thirrje zotit Rama të përcjellë interesat e qytetarëve shqiptarë. Të lërë mënjanë pazaret. Të studiojë tërë ecurinë e dialogut politik në këto vite, në tërë historinë e këtij dialogu kemi pasur vetëm një qëllim, një histori të përbashkët suksesi. Nuk është kultura jonë e tëra për mua, asgjë për kundërshtarin.
E ftoj Ramën ta ndryshojmë Kushtetutën për imunitetin. Të vendosë interesin e qytetarëve të parin. Imuniteti i intereson vetëm atij që do ta përdorë si mburojë për pasurim të paligjshëm. Le të votojmë më 6 gusht një akt madhor që Partia Demokratike e ka mbështetur prej dhjetë vitesh. E ka mbështetur në opozitë, e mbështet edhe tani.
Berisha tha se PD është e hapur për të pranuar ndryshime në draftin e imunitetit, sipas propozimeve që bënë ekspertët ndërkombëtarë të shtunën.
