E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputetët e PD, një minutë heshtje për Podrimjen. Berisha: Ai është themeluesi i nacionalizmit modern shqiptar

Share

Kryeministri Sali Berisha mbajti një fjalë relativisht të gjatë në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për vdekjen e poetit Ali Podrimja. Berisha foli me nota pikëlluese për Podrimjen. Më poshtë fjala e Berishës.

Javën që kaloi, kombi shqiptar, letrat dhe mendimi intelektual, bota e dijes dhe e mendimit, humbën një nga personalitetet më të mëdha të të gjitha kohërave të këtij kombi, humbi princi i poezisë shqiptare, poeti Ali Podrimja.

Ali Podrimja ishte gjeniu i poezisë, këngës së këtij kombi. Ai themeloi poezinë moderne të shqiptarëve. Një komb me trashëgimi të shkëlqyer letrare, poetike dhe folklorike, pati tek ai gurin bazë, themeluesin e poezisë moderne. Cilido që lexon Ali Podrimen gjen tek ai Naimin, Çajupin, Nolin e të gjithë klasikët e letërsisë sonë.

Ali Podrimja ishte gjeniu i kurajës së letrave shqipe. Ai do e fillonte karrierën e tij letrare duke dëshmuar një vendosmëri vetëmohuese në veprat e tij krijuese. Cilido që lexon veprat e tij të fillimit, e kupton çfarë guximi kishte gjimnazisti Ali Podrimja. Ai është themeluesi i nacionalizmit modern shqiptar. Gjimnazisti Ali Podrimja do e niste karrierën e tij të jashtëzakonshme letrare nën moton Kosova është gjaku im që nuk falet. Kjo moto e frymëzoi atë, frymëzoi shqiptarët në Kosovë e në mbarë botën. Në çdo varg të tij, në çdo vepër të tij është apoteoza e qëndresës sonë, e besimit se sakrifica e shqiptarëve do të ngadhënjejë. Ali Podrimja, më shumë se çdo krijues tjetër i këtij kombi është indikatori i shpirtit të tij. Natyrisht Kosova ishte gjaku që nuk mund të falej për të. Por nuk ka pjesë apo trung të këtij kombi që nuk gjendej në veprën e tij, që të mos ishte në veprën e tij. Ali Podrimja është gjeniu i universales shqiptare, por edhe i universales njerëzore.

U nda nga jeta në Francë, një vend që ai e deshi, por një vend ku përjetoi në një nga spitalet e Parisit një nga dramat e tij personale më të mëdha, vdekjen e djalit të tij. Këtë dhimbje, këtë vuajtje ai e sublimoi në një kryevepër, ndoshta më e arrira në poezinë e këtij kombi.

Është aq shqiptar, aq edhe botëror. Çfarëdo nderimi ti bëhet, në të katër anët shqiparët po shprehin bindjen e thellë, pikëllimin e madh për këtë humbje të pakompensueshme. Çdo nderim që mund ti bëhet, nuk mund ti rikthejë atë që ai bëri për çdo shqiptar. Ndaj ju ftoj ta nderojmë me një minutë heshtje kujtimin e tij. Ftoj çdo shqiptar që të lexojë dhe të rilexojë veprën e tij të pavdekshme. Nuk ka shqiptar që të mos e gjejë veten në veprimtarinë e tij gjeniale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›