Berisha, integrimi: Rama bllokues për Shqipërinë, njësoj si Greqia për Maqedoninë
Gjatë konferencës së përbashkët me homologun e tij maqedonas, Nikolla Gruevski, kryeministri Berisha, i pyetur nga gazetarët lidhur me çështjen e statusit të vendit kandidat, akuzoi sërish kreun e PS si bllokues të statusit dhe i bëri thirrje që të mos vijonte me bllokimin e tre ligjeve të kërkuara nga KE në Kuvend.
Berisha hoqi një paralele mes rastit të Maqedonisë dhe Shqipërisë, ku sipas tij nëse në rastin e Maqedonisë bllokimi vjen nga jashtë, nga një shtet fqinj, duke iu referuar konfliktit greko-maqedonas për çështjen e emrit që ka sjellë bllokimi për anëtarësimin e Shkupit në NATO, ndërsa në rastin e Shqipërisë, bllokimi vjen nga brenda dhe pikërisht nga kreu i PS, Edi Rama.
“Në Parlamentin Europian u votua për rekomandimin e Komisionit të Jashtëm për statusin kandidat. Do të doja që Rama ta vlerësonte këtë votim dhe të mos merret më me Fierin. Fakti që nuk pranon mocion dhe u tërhoq nga padia, tregon se tani janë të kënaqur se e përmbushën misionin për të bllokuar statusin”, – u shpreh Berisha.
23 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)
Berisha, integrimi: Rama bllokues për Shqipërinë, njësoj si Greqia për Maqedoninë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP