Berisha ironizon Ramën: "Kushtetuta nuk ndryshohet sipas interesit"
Kryeministri Berisha, ironizon kreun e opozitës Edi Rama, pas deklaratave të këtij të fundit se ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, pas marrëveshjes me mazhorancën ishin të gabuara. Duke folur nga Baldushku i Tiranës, gjatë ceremonisë së përurimit të rrugës që lidh këtë fshat me kryeqytetin, Berisha tha se Rama kërkon të ndryshojë Kushtetutën sa herë që i intereson atij. Berisha theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të Kushtetutës.
Në fjalën e tij, Berisha tha se investimet dhe programet për të finalizuar ëndrrën: "Shqipëria vend i zhvilluar", nuk do të ndalen nga qeveria. Segmenti rrugor i përuruar nga kryeministri i vendit, ka një gjatësi prej 13 kilometrash të asfaltuar, me dy korsi. Ky financim kapi shifrën e 513 milion lekëve dhe u mbulua nga fondet e qeverisë.
Në vijim të fjalës, kryeministri Berisha u bëri thirrje banorëve për mbjelljen e drurëve frutorë dhe arrave, pasi sipas tij, projekti për ndërtimin e ujësjellësit do të realizohet shumë shpejt.