Berisha ka projektuar përplasjen
Nëse deri dje përplasja ndërpalëse ishte një përfolje, që qarkullonte si mundësi, sakaq mund të merret si objektiv. Dështimi i sistemit elektronik të votimit në Fier e Tiranë, si dhe dështimi i instalimit të aparaturave njohëse të kartave të identitetit, janë sinjal i qartë i strategjisë së Berishës për të mos i bërë votimet e 23 qershorit 2013 më të lira e më të ndershme nga të mëparshmet, që pas kontestimit kanë sjellë kriza. Duke treguar kështu se garancia që i dha muaj më parë bashkësisë evropiane, ka qenë demagogji.
Ashpërsia e pandalshme e fushatës elektorale 2013, realisht të nisur para shpalljes së datës ligjore, është një tjetër tregues paraprijës i përplasjes së projektuar.
Makinat pa targa, nga dyert e të cilave valëviten flamujt blu të Sali Berishës, është po ashtu një tjetër tregues.
Ngjashmërisht si pesëmbëdhjetë vite më parë, ku shfaqja e të tilla objekteve lëvizëse i parapriu përplasjes së madhe të vitit 1997.
Incidentet elektorale janë një tjetër tregues i këtij objeksioni. Sipas burimeve zyrtare dhe jo zyrtare, deri tani numërohen më shumë se njëzet e pesë incidente që nisin nga heqja dhe djegia e flamujve partiak, nga bastisja dhe sulmimi i qendrave elektorale e deri tek rrahjet barbare të kandidatëve garues.
Krimi më i rëndë i këtij lloji i përket Roskovecit dhe ka si protagonist rrahjen barbare të kandidatit të FRD-së nga persona, për të cilët herë thuhet se janë identifikuar dhe herë se po punohet për ti identifikuar.
Një kakofoni e njohur deklaratash kjo që, përveç projektimit të rrahjes nga subjekte rivale të interesuara, bën ta përforcosh idenë e përplasjes së madhe ndërpalëse. E finales, që mund të jetë projektuar të vijë pas mbajtjes së procesit zgjedhor, pra pas datës 23 qershor 2013, dhe, pikërisht nga mosnjohja e fitores dhe e humbjes.
Përplasja e lindur prej devijimit të ligjit zgjedhor po mban peng strukturën superiore zyrtare të certifikimit të procesit zgjedhor, KQZ-në.
Por përplasja ndërpalëse është e pritshme të ndodhë jo se përbën sjelljen standard, sepse është pjesë karakteriale e Kryeministrit në detyrë, por edhe strategji e përdorur me sukses prej tij në pasvitin 97 kur e nxori pa lagur nga përgjegjësia ligjore.
Përplasja ndërpalëse është aseti i fundit i projektuar nga Sali Berisha për ta potencuar dhe bërë faktorë në mbjelljen e destabilitetit paszgjedhor të vendit.
Por përplasja ndërpalëse është edhe pjesë e hakmarrjes që Berisha ka projektuar të derdhë mbi kundërshtarët e vet vota kundër, pas humbjes së pritshme të 23 qershorit.
Madje nuhatja e kësaj të fundit, pra e humbjes, e ka detyruar të projektojë përplasjen ndërpalëse si një mundësi për të garantuar koncesione përfituese për të ardhmes së tij politike.
Ngaqë e nuhati humbjen, Berisha shpejtoi ta përqendrojë pushtetit vetëm në dorën e tij. Kështu veproi edhe në parazgjedhjet e 26 majit 1996, kur nga kolltuku i presidentit komandonte gjithçka: pushtetin legjislativ, pushtetin ekzekutiv, pushtetin gjyqësor dhe prokurorinë.
Kur nuhati humbjen e sigurt, Sali Berisha shpejtoi të shtjerë në dorë edhe shtabin e administrimit e të ruajtjes së votave. Në krye të presidencës ja doli të vendosë Bujar Nishanin, proverbialisht i njohur për përulësinë e tij shvejkiane ndaj Berishës. Në krye të Ministrisë së Brendshme, vendosi Flamur Nokën, shkopin e tij partiak të gomës, ndërkohë që nëpunësin legjendar për manipulim të votave, zëvendësministrin e Pushtetit Lokal, Ferdinand Pone, e përforcoi me homologun e tij, po kaq legjendar, Arben Ristani.
Në krye të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve emëroi një këshilltare të Xhozefinës së parlamentit të sunduar prej tij dhe pasi LSI publikoi bashkimin me PS-në, domethënë daljen jashtë dore të KQZ-së, (sinjali më i shqueshëm i humbjes së sigurt), sajoi prishjen e kësaj të fundit. Gjymtimin. Bërjen funksionale për vendimmarrje që garantojnë mbarëvajtje teknike të procesit zgjedhor, por jo certifikimin e tij. Jo vendimmarrjen që vulos fitoren e njërës palë dhe humbjen e palës tjetër.
Vendimmarrje kjo, sikurse thonë juristët konstitucionalistë: e përcaktuar për të qenë ligjore nga KQZ-ja e përbërë me jo më pak se pesë vota.
Aktualisht, KQZ e sulmuar jashtëligjërisht nga Kryeministri tinëzar shtatëdhjetë vjeçar është katandisur në një shtab gjysmak, me vetëm katër anëtarë, duke u kthyer në pjesërisht funksionale. Gjymtimi i tij erdhi, sikurse ka vlerësuar ambasadori amerikan, duke ndryshuar rregullat në mes të lojës. Që presupozon se është shkelje flagrante e ligjit kushtetues. Por për Kryeministrin e dalë jashtë ligjeve të vendit që qeveris, kjo konsiderohet normale.
Sikurse do të cilësohet normale edhe përplasja e pritshme ndërpalëse e pas 23 qershorit 2013. Kur shtabi certifikues, pra KQZ-ja, për arsye të prishjes së rregullave të lojës dhe deformimit politik, ose nuk do të jetë në parametrin ligjor për ta përfunduar procesin, ose do të jetë i pabesueshëm në vendimmarrjen e tij. Në shpalljen e rezultatit që për të njëjtat arsye nuk do të jetë i gjithëpranuar nga palët, edhe sikur të jetë tërësisht i nxjerrë prej realitetit të votave të lira pro e kundër.
Me mënyrën sesi ka luajtur deri më sot jo vetëm me KQZ, por me gjithë strukturën përgjegjëse të administrimit të zgjedhjeve të 23 qershorit, kryeministri Sali Berisha nuk ka bërë tjetër veçse ka diskretituar autoritetin e tyre ligjor. E ka zeruar besimin e këtyre strukturave, tek forcat opozitare, por edhe në sytë e votuesve të kampeve politike garuese.
Gjaku ballkanas i të cilëve është nxehur akoma më shumë, veçanërisht këto ditët e fundit të finishit elektoral, kur jo vetëm vendasit por edhe vëzhgues-ekspertët ndërkombëtarë, ende nuk dinë të thonë çdo të ndodhë me KQZ. Me të vetmen strukturë që,ligjërisht, ka në dorë të nxjerrë vendimin për rezultatin e votimeve e që vazhdon të jetë i gjymtuar.
Me vetëm katër anëtarët, të cilët, ligjërisht, është e sigurt se kanë në dorë të vendimojnë gjithçka që kërkon katër vota, por jo të certifikojnë fitues e humbës. Me këtë përbërje aktuale KQZ-ja katëranëtarëshe garanton vetëm dy pritshmëri: rënien e gjithë procesit zgjedhor dhe përplasjen e madhe ndërpalëse. Përplasjen aq shumë të preferuar prej Kryeministrit, i cili, çuditërisht edhe në këtë aventurë të fundit shtetshkatërruese, vazhdon të mbetet qetësisht i gjithëvështruar.
