E Shtunë, 31 Tetor 2026

Identikit i votuesit berishian!

voti166Nga Imirjon Dani

Pak kohë na ndan nga dita që Shqipëria vendos, nga dita në të cilën i gjithë mendimi politiko-filozofik perëndimor sintetizohet në një veprim të vetëm sublim dhe transformues. Me aktin e të votuarit, në vendosim për vlerat dhe parimet mbi të cilat do ndërtohet utopia jonë.

Në fakt, nëpërmjet kësaj zgjedhje në përçojmë pak nga vetja jonë dhe nga cilësitë kryesore që përbëjnë karakterin tonë.

Për këtë arsye, të votuarit është një akt shumë interesant, sidomos psikologjikisht, pasi mund të mësojmë shumë për veten dhe cilësitë e karakterit tonë.

Realisht votuesi tipik i Sali Berishës duket shumë interesant për tu analizuar (duhet veçuar nga votuesi i PD ose votuesi ideologjikisht i djathtë).

Të jesh një votues i Sali Berishës, do të thotë të kesh edhe disa cilësi të veçanta karakteriale dhe psikologjike.

Një votues i tillë pikësëpari është amnezik, është i tillë sepse të harruarit është një nga cilësitë kryesore që vërehet në këto votues.

Amnezia është aq e thellë saqë duhet të harrosh shpërthime si Gërdeci, shitje spektakolare deti dhe humbje fondesh prej miliona eurosh.

Pra, në fakt ky votues ka amnezi akute sepse të gjitha këto çështje dhe probleme që ka krijuar qeverisja e Saliut, janë aq marramendëse, sa që është pothuajse e pamundur te mos krijojnë asnjë emocion zemërimi dhe neverie.

Sidoqoftë votuesi jonë qëndron stoik përballë çdo të vërtete, e cila mund ti pështjellojë sadopak mendimin e tij homogjen dhe autoritar.

Të jesh amnezik do të thotë të mos njohësh historinë dhe mosnjohja e saj e bën të ardhmen më të pasigurt.

Pra kjo cilësi bën që votuesi berishian të mos ketë aftësi planifikuese, të mos projektohet në të ardhmen dhe të jetë i prirur për nga fitimi dhe shfrytëzimi afatshkurtër, një cilësi kjo e cila ka krijuar një model biznesi tepër kaotik dhe të pasigurt.

Në anën tjetër vërejmë që ky votues ka prirje të jetë dhe deluzional. Bashkë me sensin e madhështisë, përrallat që ky votues beson janë të paimagjinueshme.

Shkëputja nga realiteti vërehet qartë në besimin që Shqipëria këto 8 vite ka pasur një rritje ekonomike më të madhe se Gjermania dhe Kina, dhe në fushën energjetike jemi superfuqi.

Në fakt vërejmë një situatë totalisht të kundërt, por për arsye të pashpjegueshme mendja e votuesi të Saliut ka vendosur ta flakë tej këtë fakt dhe të besojë hiperealitetin e krijuar nga mediat berishiane.

Historikisht, shkëputja nga realiteti ka krijuar gjendje të paimagjinueshme euforie apo çmendurie popullore.

Në Gjermaninë naziste, aq e madhe ishte shkëputja nga realiteti sa që shfarosja e çifutëve urdhërohej nga njerëz, të cilët vrasjet i trajtonin si statistike.

Kjo gjendje skizofrenie amplifikohet shumë edhe nga mediat e pushtetit, të cilat më një axhendë të qartë thellojnë  deluzionin popullor.

Gjithashtu një cilësi tjetër tepër e veçantë është trajtimi temporal që i bëhet aktit të të votuarit.

Në këtë rast vota trajtohet si votë e së kaluarës, ku votuesi jeton në vitin 2013 dhe në fakt voton sikur të ishte në vitin 1960.

Votuesi i Saliut voton kundër Enverit, ai voton kundër trajtimit të padenjë që i ka bërë stërgjyshit të tij sistemi enverist. Situata në të cilën ndodhet ky votues ka një dinamikë kohore tepër të veçantë, ai jeton në të tashmen, por voton në të kaluarën për të ndëshkuar të ardhmen.

Në një gjendje të tillë edhe mendja e ka të vështirë të bëjë sens sepse koha e ka humbur linearitetin e saj, duke thelluar dhe me tej gjendjen iluzive ku gjendet votuesi në fjalë.

Është shumë interesant fakti që vota e këtij votuesi, edhe pse pretendon të jetë kundër ndarjes klasore të prodhuar nga komunizmi, në fakt e thellon atë.

Kjo votë duke qenë e ngurtë dhe duke u trajtuar si ndëshkim për një klasë të caktuar në fakt vazhdon sistemin komunist të ndarjes klasore.

Veçantia e kësaj vote është edhe natyra ndëshkuese e saj, përkundrejt sensit të shpresës që duhet të ketë vota dhe ndryshimi i sistemeve.

Në përgjithësi ndëshkimi merret me të kaluarën dhe jo me të ardhmen. Kjo dëshirë për hakmarrje nuk bën gjë tjetër veçse e ndalon zhvillimin dhe mirëqenien.

Simbolika e të votuarit nuk duhet të jetë vetëm ndëshkuese, por duhet të japë edhe shpresë për të ardhmen, ajo duhet të shkojë përtej ndasive shoqërore duke krijuar një sens uniteti popullor.  Megjithatë votuesi i Saliut dhe mungesa e fleksibilitetit që ai ka vazhdon e prodhon përçarje dhe mungesë vizioni.

Votuesi i Saliut është edhe shumë arrogant sepse e mendon veten mbi ligjin duke e trajtuar pushtetin si të drejtë hyjnore.

Kjo vërehet qartë në mbështetjen që ky votues ka për vrasjet e 21 janarit dhe për shkatërrimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të bërë nga kryeministri Berisha.

Mund të themi që autoritarizmi është një cilësi shumë e pëlqyer nga ky votues dhe përkushtimi ndaj liderit është i padiskutueshëm.

Duke parë këto cilësi, nuk mund të mos vëmë re një ngjashmëri të  madhe të votuesit salian me votuesin me ndërgjegje kolektive të kohës së komunizmit.

Të dy këto votues kanë aftësi analitike tepër të dobët dhe kolektiviteti i zgjedhjeve që bëjnë, tregon qartë mangësinë e cilësive individuale.

Si mbetje të komunizmit, këta votues me arrogance kundërshtojnë çdo hije dyshimi dhe proces konstruktiv mendor, ata mbrojnë me fanatizëm iluzionin e tyre dhe gjithmonë tërhiqen nga copëza propagande pro regjimit.

Në asnjë rast nuk duhet të dukemi diskriminues, megjithatë fillimi i të vërtetës dhe njohjes së realitetit buron nga njohja e vetvetes.

Prandaj në këto pak ditë që kanë ngelur përpara ditës së zgjedhjeve, do ishte mirë të bëjmë një analizë introspektive dhe të gjejmë brenda vetes zgjedhjen që na jep shpresë për një të ardhme me denjë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›