Berisha këmbëngul: Jam anëtar i grupit parlamentar të PD!

Ish kryetari i PD dhe ish kryeministri Sali Berisha ka këmbëngulur se është anëtar i grupit parlamentar demokrat. Deklaratën e tij ai e bëri në përfundim të seancës së parë parlamentare. Ai ka sulmuar sërish ashpër kreun e PD Basha, për të cilin tha se ka bërë pazare të fëlliqura me kryeministri Rama. “Do marr çdo nismë ligjore dhe statutore brenda PD për rikthimin e saj në piedestalin që meriton. Jashtë çdo lloj diskutimi: Jam anëtar i grupit parlamentar të PD. Vendimi, kompromisi Basha-Rama është nul, nuk ka asnjë mbështetje ligjore përveç fëlliqësisë morale të pazareve prapa shpine ndaj një force politike që qëndron fuqishëm në pozicionin e saj si opozitë” tha zoti Berisha. Një ditë më parë ai u përjashtua nga grupi parlamentar i PD nga kreu i partisë Lulzim Basha, pasi më parë DASH e kishte shpallur të padëshirueshëm në SHBA.