Berisha mbledh Kryesinë, Këlliçi: Duhet reflektim. Për lidershipin mjafton të shihni statutin

Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbledhur këtë të martë (23 maj) Kryesinë në selinë blu, për të analizuar shkaqet dhe problematikat që çuan në humbjen e zgjedhjeve të 14 majit. Në hyrje të selisë blu, Belind Këlliçi u shpreh se do të gjejnë mënyrën për të kapërcyer çdo hatërmbetje dhe pakënaqësi për të bërë të mundur një reagim të shoqërisë shqiptare që të neutralizojë vjedhjen e votës.
“Ne në periudhë reflektimi jemi, por kjo s’do të thotë që vjedhja e zgjedhjeve ka ndodhur, që s’ka patur manipulim të procesit zgjedhor, sot nuk gjej asnjë socialistë që të thotë që kanë qenë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Mbledhja e kryesisë do të adresojë të gjitha problematikat, duke nisur nga problemet që ne kemi patur para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor.
Duhet të vëmë gishtin në plagë e të flasim për zgjedhjet. Zgjedhje të lira e të ndershme nuk ka patur. Ju besoj e keni parë. Do duhet të gjendet mënyra që të kapërcejmë çdo hatërmbetje e pakënaqësi që t’i përgjigjemi më mirë shoqërisë, për të bërë të mundur që të kemi një reagim të tillë të shoqërisë shqiptare që të neutralizojë vjedhjen e votës”, tha Këlliçi.
Pyetur nga gazetarët për lidershipin e Partisë Demokratike, Këlliçi deklaroi se statuti e përcakton qartë procedurën.
“Nuk e di si lidhet reflektimi me dorëheqjen, do shohim çfarë nuk shkuar mirë brenda nesh. Me lidershipin mjafton të shihni statutin, dhe i merrni të gjitha përgjigjet. Ka ikur koha e dëshirave personale, kjo është çështje reflektimi, se çfarë nuk ka shkuar mirë”, tha Këlliçi.
Sakaq, edhe Bardh Spahia, i cili në zgjedhjet e 14 majit humbi përballë socialistit Benet Beci, e ka lidhur humbjen me krimin e organizuar dhe vjedhjen e votave.
“Krimi i organizuar dhe i mbështetur, i orientuar nga Edi Rama. Aty janë votat e anëtarësisë, po ti shihni ka rritje, ka përfshirje të institucioneve të shtetit me të gjitha forcat e tyre, me paratë e pista dhe intimidimin e strukturave kriminale”, theksoi ai.
/rtsh.al/