Berisha mbledh Kryesinë: Rama nuk largohet me votën e lirë, por vetëm me revolucion! Nuk e dorëzojmë Parlamentin

Kreu i PD-së, Sali Berisha ka mbledhur Kryesinë këtë martë, ndërsa ka theksuar edhe njëherë se aksioni i isur nga opozita do të vijojë deri në largimin e kryeministrit Edi Rama nga drejtimi i qeverisë.
Me afrimin e zgjedhjeve lokale, Berisha tha se Rama, sipas tij, nuk largohet me votën e lirë, teksa theksoi se rruga për të arritur këtë qëllim është “vetëm revolucioni”.
Berisha u ndal edhe njëherë te çështja McGonigal, teksa akuzoi sërish Ramën se ka korruptuar ish-agjentin e FBI-së për të shkatërruar opozitën.
“McGonigal, që vazhdon të jetë kryefjalë e medieve botërore, është në burg, kurse porositësi i vrasjes me pagesë të opozitës shqiptare, është në pushtet. Cilido që mendon se ky porositës i krimit më të shëmtuar ndaj demokracisë dhe pluralizmit, asgjësimit të pluralizmit de facto, largohet me votën e lirë, gabon. Është iluziv, gënjen veten. Kjo është e vërteta. Ky porositës i vrasjes së opozitës largohet vetëm me revolucion. Sepse, Shqipëria, një vend anëtar i NATO-s, ka degraduar në shkallën më ekstreme. Në Europë është narkoshteti i parë dhe i vetëm. Do të thotë se vendos mafia e drogës. Shqipëria është vendi i qytetarëve, që vidhen në mënyrën më monstruoze. 4.5 milionë euro po ndërtohet autostrada Kakavijë-Janinë, 22 milionë euro po ndërtohet autostrada Limuth-Rrogozhinë. A munden shqiptarët të pranojnë një gjë të tillë? Marrim vetëm këto krahasime. Kurse rrugët anësore të autostradës Lekaj-Tepelenë shkojnë 7.1 milionë dollarë për kilometër. 320 milionë së bashku”, tha Berisha.
Po ashtu Berisha ka dhënë porosi që deputetët mbështetës të tij të vijojnë edhe me bllokimin e foltores së Kuvendit, duke mos lejuar zhvillimin normal të seancave parlamentare, teksa akuzon se me mënyrën aktuale të drejtimit të parlamentit “po shkatërrohet pluralizmi”.
“Demokratët nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga zgjedhjet, as të dorëzohen. Ky është revolucion. Unë e kuptoj se ky term ngjall debat. Por në rast se një vendi, me forca madhore, i shkatërrohet pluralizmi, si mund ta rivendosë ai? Ai është një akt kundërrevolucionar, ky është revolucion. Ai është grusht shteti kundër pluralizmit.Ne jemi në të drejtën tonë dhe ne i injorojmë këto. Marrim vetëm qëndrimet e parlamentit: a mund të veprohet në një parlament siç vepron Edi Rama me Lindën e tij kryetare? Në mënyrën më të turpshme dhe të padenjë. Ndaj dhe ne rezistencën në parlament duhet ta shumëfishojmë. Nuk e dorëzojmë ne parlamentin. Nuk kemi autoritet për të dorëzuar parlamentin. Ne përfaqësojmë 750 mijë zgjedhës. Kështu që thashë të bëjmë këtë mbledhje, të përcaktojmë detyra më konkrete dhe të vazhdojmë betejën në të gjitha planet”, u shpreh ai.
Opozita zhvilloi të shtunën dhe të hënën protesta, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama. Protesta e së hënës u zhvillua jashtë Kuvendit, në një kohë që mbahej edhe seanca parlamentare, që për pasojë u shoqërua me debate të forta mes deputetëve të maxhorancës dhe atyre të opozitës.