Berisha mbron prokurorin Ols Dado: Padi Veliajt për pengim të drejtësisë dhe kërcënim të dëshmitarëve

Kryetari i PD Sali Berisha mori në mbrojtje prokurorin që po heton kryetarin e bashkisë së Tiranës, Olsi Dado. Gjatë një konference me gazetarët Berisha akuzoi Erion Veliaj se ka kërcënuar prokurorin e SPAK-ut dhe dëshmitarët duke paralajmëruar padi ndaj tij për pengim të drejtësisë.
“Sepse kërcënimi i tij për Olsi Dadon është një kërcënim që për shkak të mbrojtjes që kanë këta prokurorë, ai shanset i ka zero që ta agresojë fizikisht. Por kërcënimi personal është për dëshmitarët, që po folët, do e keni personale me mua. Nuk ka akt më të mirëfilltë të pengimit të drejtësisë se ky. PD po shqyrton të gjitha modalitetet për ta paditur për aktin e pengimit të drejtësisë dhe kërcënimit të dëshmitarëve”, tha Berisha.
Por edhe pse sot paralajmëroi padi ndaj Erion Veliajt, Berisha është një prej politikanëve që ka sulmuar vazhdimisht kreun e SPAK-ut Altin Duamni, por sipas tij gjuha e dy politikanëve është e ndryshme.
“Ku ndryshojnë, po ndryshojnë shumë. Altin Dumani është drejtuesi i asaj prokurorie e cila është shndërruar në një prokurori politike që ka marrë përsipër; një, ti marrë mandate opozitës siç ka qenë mandati i Fredi Belerit. Ka marrë përsipër si asnjë vend tjetër të Europës të vendosë në ndjekje penale apo arrest, tre liderët e tre partive opozitare pa asnjë lloj, krejtësisht. Ilir Meta pa asnjë akuzë konkrete. Sali Berisha gjithçka në manipulim dhe falsitet. Fatmir Mediu për një proces i cili është gjykuar gjerësisht 15 vite më parë”, tha Berisha.
Berisha nuk vlerësoi as punën e SPAK-ut për arrestimin e Safet Bajrit.
“Safet Bajri u dorëzua, lëri ato punë ti. U dorëzua mor zotëri, këta janë të paskrupullt. Ai u dorëzua mirë e bukur, është një gjë krejt marrëveshje. Mos u ngut. Po ta kishin kapur, arrestuar, por ai u dorëzua. Ai shkoi vetë u dorëzua. Ata nuk dorëzohen kurrë pa marrëveshje. Harrojeni. Mafia e ka ligj atë, ka marrëveshje. Nuk mund të përshëndes marrëveshje unë”, tha Berisha.
Kryetari i PD Sali Berisha përsëriti akuzat se SPAK-u është prokurori politike e vendosur nën kontrollin e kryeministrit Edi Rama./vizionplus.tv