Nis aplikimi për panele diellore, shteti jep 70 për qind të shumës, përfitojnë 2 mijë abonentë

Nga kjo e hënë, abonentët familjarë kanë mundësinë që të aplikojnë për të vendosur panele për ngrohjen e ujit në shtëpi, duke përfituar subvencionin në masën 70% nga qeveria.
“Dokumentet që nevojiten janë certifikata familjare, një letërnjoftim, certifikata e pronësisë, faturat për një vit kalendarik që mesatarja e konsumit mujor të jetë mbi 400 kilovat, në mënyrë që paneli për ngrohjen e ujit të ketë efekt të dukshëm dhe një vërtetim debie nga OSHEE dhe një formular vetëdeklarimi. Linku ku qytetarët duhet të aplikojnë është panelet.eficenca.gov.al. aty kanë edhe një manual përdorimi apo edhe një video ilustruese për ta bërë sa më të thjeshtë aplikimin për qytetarët. Të mos fokusohen vetëm te shpejtësia, por edhe që të vendosin dokumentet e sakta që të mos penalizohen për një gabim të vogël”, sqaroi Ani Hasa nga Agjencia për Eficencën e Energjisë.
Aplikimet do të jenë të hapura deri në momentin që do të shënohet fituesi i dymijtë.
“Duke qenë se ne kemi sistemin i pari që vjen, i pari do të shërbehet, nuk ka afat për aplikimin. Do të shohim nëse arrihet shumë shpejt numri i 2 mijë aplikantëve apo i atyre që shpallen fitues, do të mbyllet shpejt. Në momentin që qytetari aplikon, i vjen numri rendor që është në listë, në çfarë faze do të jetë aplikimi i tij, nëse do të jetë në shqyrtim, i refuzuar apo nëse duhet të ngarkojë një dokument tjetër, nëse ka pasaktësi të vogla, mund të japim mundësinë për të ringarkuar dokumentin”, tha Hasa.
Pasi të shpallet fitues, çdo qytetar duhet të zgjedhë një subjekt të licencuar nga Agjencia për Eficencën e Energjisë për të marrë dhe instaluar panelin. Kjo është hera e dytë që qeveria mbështet abonentët familjarë për panelet diellore. Ata që kanë qenë fitues nga thirrja e parë, nuk mund të aplikojnë sërish për të njëjtën kontratë energjie./vizionplus.tv