Berisha mbyll fushatën në Mirditë: Rama mendon se do bindë shqiptarët me sukseset imagjinare

Kreu i PD-së, Sali Berisha ka mbajtur në Mirditë takimin përmbyllës të fushatës, në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit. Berisha i kërkoi qytetarëve që t’i besojnë voton, ndërsa qeverisjen socialiste e konsideroi si “një të keqe të madhe që po shkreton Shqipërinë”.
“Për t’u ndarë nga një e keqe e madhe, që po shkreton Mirditën Madhështore dhe Shqipërinë Madhështore. Për tu ndarë nga një e keqe që po mbyll klasat, po mbyll shkollat, që po mbjell vetmi dhe pasiguri në votat shqiptare. E vërteta është kjo, se nga viti 2007 deri në viti 2014, Mirdita, Lezha, Shqipëria u rrit në popullatë nga viti në vit. Sepse kishte shpresë se Mirdita bëhet, se Shqipëria bëhet. Nga viti 2014 gjer në vitin 2023, 1 milionë e 99 mijë shqiptarë u larguan vetëm për në hapësirën e BE-së. U larguan nga Shqipëria miqtë e mi, sepse u vranë, u rrënuan mundësitë e shqiptarëve dhe bashkë me to, shpresa dhe besimi për një të ardhme në vendin e tyre”, tha Berisha.
Premtimit e kryeministrit Edi Rama, Berisha i konsideroi si “gënjeshtra” me të cilat, sipas tij, kryesocialisti po mundohet të bindë shqiptarët.
“Ka tre ditë që Rama me thesin e rrenave mbi shpinë qarkullon nga një qytet në tjetrin, u thoshte në Vlorë se kam investuar 1 mld e 260 mln. Thashë ky meqenëse e ndjen veten gjysmë vlonjat, por në fakt as vlonjat as shqiptar nuk është t’u themi të vërtetën. Nuk i duhet gjë origjina e tij. Ai shkon sot në Shkodër në të cilën ka investuar gjysmën e parave që ka vjedhur Tërmet Peci me motrën e vet ne Tepelenë dhe u thotë shkodranëve që kanë investuar 1 mld e 300 mln euro. Pra beson tani se duke shpërndarë rrena do mund të bindë shqiptarët për sukseset e tij imagjinare”, deklaroi Berisha.
/rtsh.al/