Berisha me 100 biznese drejt Milanos

Takimi është organizuar nga Unioni i Dhomave të Tregtisë, me ftesë të kryetares së Bashkisë së Milanos, me të cilën pala shqiptare ka kryer disa bashkëpunime radhazi.
Përveç Kryeministrit shqiptar, i cili shoqërohet nga kreu i Dhomave, Ilir Zhilla, dhe rreth 100 biznese, në takim marrin pjesë nga pala italiane, ministri i Ekonomisë, Scajola, kryetarja e Bashkisë së Milanos, si dhe një sërë përfaqësues të lartë të administratës publike dhe biznesmenë të njohur.
I pyetur nga gazeta “Shqip”, Zhilla tha se takimi konsiderohet i niveleve të larta, për zhvillimin e të cilit janë marrë masat e duhura, në mënyrë që të shkojë sa më mirë.
“Takimi mes bizneseve të dy vendeve zhvillohet në kuadër të një projekti të përbashkët Itali-Shqipëri. Konferenca është e ndarë në dy pjesë, ku e dyta konsiderohet më e rëndësishme, pasi bizneset do të kryejnë takime direkte, kokë me kokë, për të parë nga afër mundësitë e rritjes së bashkëpunimit dhe lidhjes së kontratave të reja”, tha Zhilla.
Një mundësi projekti që pritet të realizohet së shpejti është përfshirja e bizneseve shqiptare në Bursën e Milanos, përmes partnerëve italianë.
Takimet do të mbyllen brenda ditës së sotme dhe parashikohet të zhvillohet me axhendë të ngjeshur, për t’u kthyer sërish në Tiranë, në darkë.