E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, më 15 maj, kërkoi hapjen e kutive për Tiranën për vlerësimin e votave

Bledar Hoti

Demokratët, kërkesa e çuditshme e liderit të PD-së për rinumërim

Dalja me 10 vota para të kandidatit socialist, Edi Rama, ndaj rivalit demokrat, Lulzim Basha, nuk u kapërdi mirë nga lideri i PD-së, Kryeministri Sali Berisha, i cili që në ditën e parë u shpreh se të dhënat që disponon ai rezulton se votat pro kandidatit të së djathtës janë hedhur në kutinë e gabuar. Disponojnë fakte të pakontestueshme se votat e hedhura për Bashën janë disa herë më tepër se 10 votat e Ramës. Megjithatë ju garantoj se do pranojmë çdo rezultat të vendosur nga institucionet demokratike, sikundër do qëndroj prapa vlerësimit të çdo vote të kontestuar e kjo të bëhet në mënyrë transparente”, tha Berisha në konferencën e 15 majit të vitit 2011. Por për herë të parë Berisha paralajmëroi kërkesën e hapjes së kutive, një kartë e kërkuar me forcë nga opozita në zgjedhjet e vitit 2009. Nuk themi ne siç ka bërë dy vjet rresht zotëria hap kutitë e shiko. Por ne themi urdhëro dokumentet. Ne nuk do të kemi asnjë pretendim pa dokumente ligjore të qarta. Ne kemi dokumente për këtë, por jam i bindur që edhe pala tjetër mund të ketë të vetat. Nëse dje thashë që kemi kaq, sot them që kemi shumë më tepër seç kishim dje. Natyrisht nuk jam unë gjykatësi i tyre, gjykatësi i tyre janë institucionet e vendit dhe KQZ”, tha Berisha. Duke këmbëngulur në idenë se rezultatet për kryeqytetin nuk janë finalizuar, lideri i mazhorancës tha se është në pritje të rezultatit final. “Nuk është bërë vlerësimi i votave të kontestuara. Pres përfundimet e kontestimeve dhe ftoj Ramën të ushtrojë të drejtën tek institucionet”, tha ai. Kryeministri, në atë konferencë, i mëshoi idesë se Sado që të them unë që kjo votë është e vlefshme apo e pavlefshme, nuk jam unë ai, por është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që do i vlerësojë këto, janë instancat konstitucionale, një gjë është e sigurt që ne do të qëndrojmë për çdo votë dhe e them këtu pa dallim përkatësie për çdo qytetar shqiptar, kjo sepse ne duam që ky vend ta plotësojë edhe këtë, të ketë shqyrtimin më transparent të atij që quhet kontest, kundërshtim, element faktor që i garanton një proces pa të cilin nuk do të kishte kurrë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pas këtij qëndrimi më pas PD-ja paraqiti kërkesën në KQZ për të vlerësuar votat e kreut të bashkisë të hedhura gabimisht në kutinë e gabuar.

Berisha, më 15 maj, kërkoi hapjen e kutive për Tiranën për vlerësimin e votave burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›