Berisha, me axhendë të ngjeshur në Forumin Botëror Ekonomik të Davosit
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Dr. Prof. Sali Berisha do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror që zhvillohet në Davos të Zvicrës, që është edhe Samiti më i rëndësishëm botëror vjetor për ekonominë. Kryeministri Berisha shkon në Davos me ftesë të Kryetarit të Bordit Ekzekutiv të këtij Forumi, Prof. Klaus Schwab. Në këtë samit ekonomik marrin pjesë presidentë, kryeministra, ministra të jashtëm nga mbarë bota, drejtorë dhe administratorë të institucioneve më të mëdha financiare, të korporatave të mëdha, mediat kryesore të botës etj. Natyrisht në këtë samit trajtohen edhe problemet më madhore të politikës botërore në tërësi. Gjatë Forumit Botëror Ekonomik të Davosit, i cili zhvillohet nga 23 deri më 27 janar, Kryeministri Berisha, i cili do të shoqërohet nga Ministri i Punëve të Jashtme, Zoti Lulzim Basha, do të paraqesë në panelet e tij zhvillimet, potencialet dhe reformat e ndërmarra në Shqipëri si dhe sukseset e tyre. Gjithashtu Kryeministri Berisha do të zhvillojë edhe një sërë takimesh me personalitete të shquara nga bota e politikës, ajo e financës dhe mediave nga bota, të pranishëm në këtë samit.