E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha me drejtuesit e qarqeve: Mobilizohuni për protestën 26 nëntorit, shqiptarët të marshojnë drejt Tiranës

TIRANË, 23 nëntor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka mbledhur sot në një takim virtual drejtuesit kryesor politikë të qarqeve, për të diskutuar në lidhje me protestën që do të zhvillojë më 26 nëntor në Tiranë.

Gjatë takimit, Berisha kërkoi mobilizim të jashtëzakonshëm nga drejtuesit e qarqeve për zhvillimin e protestës, apo siç e cilëson kreu i PD-së mosbindje civile.

“Kjo mbledhje e thirrur me urgjencë lidhet me protestën, me marshimin në Tiranë të qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë me datën 26 nëntor, ora 5. Ndaj dhe kërkoj nga ju, nga kryetarët e degëve, kryesitë e degëve, anëtarët e kryesive, kryetarët e grupseksioneve, anëtarët e grupseksioneve dhe mbështetësit tanë, një mobilizim të jashtëzakonshëm në mënyrë që Tirana me datë 26 të jetë e tëra në duart e qytetarëve dhe jo të qeverisë”- tha Berisha.

Gjatë fjalës së tij, Berisha paralajmëroi policinë që mos të guxojë që të prekë protestuesit e zemëruar.

“Të drejtues politikë të qarqeve, duhet marrë çdo masë për një dyndje masive të opozitarëve në Tiranë. Duhet të marrim çdo masë për të dëshmuar përpara shqiptarëve se ne jemi shumica, dhe jo vetëm shumica politike, por edhe shumica numerike dhe se narkodiktatura nuk ka të ardhme.

Ajo mbahet tani nga organet e dhunës. Një akt që më rikujton muajt e fundit të diktaturës komuniste, i ndërruan të gjithë drejtorët dhe sollën në krye të policisë banditë të damkosur, njerëz me lidhje të certifikuara, ushtarë të krimit. Por unë jam këtu për të paralajmëruar, mos guxoni të prekni protestuesit e zemëruar”- tha Berisha.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›