E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha me të zgjedhurit vendorë: Fokusi te vota e diasporës, nisni nga trungu familjar

TIRANË, 14 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zhvilluar sot një mbledhje me të zgjedhurit vendorë demokratë, kryetarët e bashkive dhe këshilltarë bashkiakë në selinë blu.

Gjatë fjalës së tij kryedemokrati deklaroi se në zgjedhjet lokale të vitit 2023 u shënua një hap i madh në dy aspekte.

“PD korrigjoi atë gabim fatal që bëri me zgjedhjet lokale të vitit 2019, por nga ana tjetër PD faktoi apo realizoi të paimagjinueshmen”, tha Berisha.

Sipas Berishës, në zgjedhjet e 14 majit 2023 “hymë pa vulë, pa flamur, pa emrin e kryetarit në fletë votimi, pa asnjë qindarkë financim, dhe si opozitë morëm 600 mijë vota”.

Berisha shtoi më tej se zgjedhjet që ishin parashikuar të ishin eliminimi përfundimtar i opozitës si faktor elektoral, në fakt shqiptarët provuan të kundërtën.

Kryedemokrati nënvizoi se sot “jemi forca politike më e mbështetur me tri rezoluta ndërkombëtare”.

“Kemi përballë një kundërshtar në gjirin e të cilit ka shpërthyer lufta e të gjithëve kundër të gjithëve”, shtoi Berisha.

Berisha theksoi se “Shqipëria ka nevojë për shpejtësi, ka nevojë për ndryshime të shpejta. Ne rikthejmë shpresën, pastaj një seri programesh të tjera. Por të gjitha këto kërkojnë angazhimin tuaj çdo ditë, 24 orë, 7 ditë të javës”.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, u ndal edhe te vota e diasporës.

“Tani, që të jem konkret me ju, mbrëmë një deputete e jona, Elda Hoti më dërgoi regjistrimin që një demokrat i familjes së saj kishte bërë në Kanada. Sa thoni ju? 500 emigrantë. Këtij demokrati i shpreh mirënjohjen më të pakufishme, ama 500 emigrantë i kishte dorëzuar me listë. Një njeri ishte. Si i kishte regjistruar? Ai ishte përkushtuar me të gjithë ata që njihte, një zinxhir”, tha Berisha.

Sipas tij, “tani, në qoftë se ne nuk ndjekim shembullin e këtij demokrati, ne nuk i përgjigjemi detyrës që kemi. Edhe ju duhet të udhëhiqni me shembullin personal. Prandaj këtu bashkë do caktojmë një numër që do marrim për çdo këshilltar, i cili mjafton të mbyllë sytë dhe u them që në 98 për qind të rasteve ka rrezik të ketë më shumë jashtë se brenda nga njerëzit e tij.

Pra, detyra jote është që të bësh kontrollin e drurit familjar dhe t’i bindësh ata që të votojnë. Në fakt i funksionoi shumë mirë, se ka shumë mënyra përballje të tërheqjes në votim, por kjo mënyrë u faktua eficiente. Atyre kjo u funksionoi”.

“Ndaj dhe ku janë dhe ku nuk janë shqiptarët, nga Afrika e Jugut, Zelanda e Re, në Kepin e Veriut, ne do bëjmë gjithçka që t’i regjistrojmë dhe mund t’i regjistrojmë. Bëjmë një mision, i ndihmojmë të gëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese, por i bëjmë bashkautorë në një rotacion me rëndësi historike për Shqipërinë dhe shqiptarët”, u shpreh Berisha.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›