Dëshmia e Dumanit, Naço: Distancohem nga akuzat, drejtësia të kryejë hetim të thelluar

TIRANË, 14 janar /ATSH/ Ish-ministri i Drejtësisë Nasip Naço, aktualisht deputet i Partisë Socialiste, është distancuar nga akuzat ndaj tij të bëra nga Nuredin Dumani, i cili sot në seancën gjyqësore ka deklaruar se i kishte paguar 40 mijë euro të afërmit të ish-ministrit për ta liruar nga burgu.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Naço ka ftuar autoritetet përkatëse të marrin masat ligjore ndaj çdo personi të përfshirë, nëse akuzat vërtetohen.
“Jam njohur sot nga mediet ku përmendet emri im. Dua të theksoj se: Distancohem nga çdo akuzë e bërë publike sot dhe ftoj organet e drejtësisë që të kryejnë një hetim të thelluar mbi këtë rast. Nëse akuzat vërtetohen, organet përkatëse duhet të marrin masa ligjore ndaj çdo personi të përfshirë në këtë çështje”, shkruan Naço.
Naço shton më tej se si Ministër i Drejtësisë, ai nuk ka pasur asnjë kompetencë për të ndërhyrë në hetime apo për të dhënë vendime mbi lirimin e të dënuarve.
“Roli i Ministrit të Drejtësisë, sipas legjislacionit në fuqi, është i kufizuar. Ministri: Nuk heton, nuk ngre akuza, nuk pushon çështje, nuk jep vendime fajësie apo pafajësie.
Detyra e tij lidhet vetëm me dhënien e lejeve të veçanta për të dënuarit, bazuar në ligj. Gjatë ushtrimit të detyrës sime si Ministër i Drejtësisë, nuk kam miratuar asnjë leje të veçantë për subjektin në fjalë”, shkruan Naço.
Në fund të reagimit të tij, Naço ka theksuar se distancohet nga çdo mashtrim që ka për qëllim dëmtimin e integritetit të tij dhe ka kërkuar që të verifikohen akuzat që janë bërë publike.
“Distancohem nga çdo mashtrim, i bërë nga kushdo, individualisht apo në bashkëpunim, për të dëmtuar integritetin tim. Akuzat publike të bëra sot nuk përputhen me faktet reale të ushtrimit të detyrës sime si Ministër”, shkruan Naço.
/a.f/r.e/