E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Divjakë: Lagunën e çliruam nga pushtimi i përfaqësuesve të krimit

Në kuadër të turit “Shqipëria në NATO”, kryeministri Sali Berisha vijoi vizitën e tij dje në zonën e Lushnjës dhe qyetin e Divjakës. Kryeministri Berisha inspektoi fillimisht punimet në rrugën Tre Urat- Grabian, në rrethin e Lushnjes, me një gjatësi 6 km, punimet e së cilës do të përfundojnë brenda muajit korrik të këtij viti. Duke vijuar më tej në takimin me banorët e Divjakës, kryeministri u shpreh se “si kryeministër i vendit, ju them se kemi përmbushur një premtim madhor historik, marrjen nga ana e Shqipërisë të ftesës për anëtarësim në NATO, premtim, i cili e bën Shqipërinë më të denjë se kurrë më parë, në historinë e saj”. “E bën Shqipërinë dhe shqiptarët më të sigurtë se kurrë më parë, në historinë e tyre, e bën lirinë e shqiptarëve më të sigurtë se në të gjitha kohërat. Premtim, i cili realisht garanton për qytetarët dhe qytetaret e Divjakës dhe të mbarë Shqipërisë, verdiktin e madh të lirisë për të sotmen dhe të ardhmen e tyre. Shqipëria në NATO është pasaporta më e shkëlqyer turistike për Divjakën. Berisha tha se Shqipëria në NATO është pasaporta qytetare më e shkëlqyer, është certifikata më e mirë për një shoqëri të lirë. Berisha tha se, “Ftesa siç do të theksonte Presidenti i SHBA-së, Xhorxh W. Bush, ishte votëbesim unanim i 26 qeverive të vendeve anëtare, për reformat, për përpjekjet, për arritjet tona të përbashkëta. Ftesën ne e morëm sepse e merituam atë, ne u thamë miqve tanë të mëdhenj të na mbështesin fuqishëm në këtë ëndërr të madhe, u dhamë mundësi atyre sepse dëshmuan seriozitetin më të madh në luftën kundër krimit, korrupsionit dhe seriozitetin në konsolidimin e demokracisë dhe zhvillimin e vendit”. “Kam ardhur këtu tek ju, theksoi Berisha, në 2005, kur Lagunën ua kishin pushtuar, përfaqësuesit e krimit. Ata sot ndodhen atje ku e meritojnë. Me atë zotim që unë ju kam dhënë qytetarëve tuaj në këtë shesh, që u kam dhënë kudo qytetarëve shqiptarë, ne i shpallëm luftë me zero tolerancë, krimit të organizuar, përndryshe NATO-n, as me dylbi nuk do ta shihnim sepse nuk të pranon askush si faktor sigurie, në rast se ti nuk ke ndershmërinë, përkushtimin, guximin, trimërinë, për të siguruar jetën e qytetarëve të tu. Ndaj dhe në dy vjet, 206 grupe e banda kriminale u vendosën para ligjit. 900 anëtarë dhe drejtues të tyre u vendosën para ligjit. Ata u kapën kudo që ndodheshin në hotelet me 5 yje apo në shpellat e Alpeve. Nuk ka paqe për ta dhe nuk do të ketë kurrë, sa të jetë jeta”. “Siç e keni parë, udhëtoja shpesh në Bruksel dhe në Këshillin e Atlantikut të Veriut, kur unë bëja avokatinë e arritjeve tona, më shtronin shpesh pyetjen në se do të jenë të parikthyeshme këto ndryshime apo jo. Kjo sepse krimi i organizuar shqiptar kishte lemerisur edhe vende të tjera. Unë zotohesha se këto arritje janë të parikthyeshme, toleranca zero ndaj krimit do të vazhdojë dhe ne ia dolëm te bindim 26 vendet anëtare se Shqipëria është tjetër, se Divjaka është tjetër. Se Shqipëria ka sot një ndër siguritë më të mëdha në rajon dhe në Europë. Ky është morali i shqiptarëve. Shqiptarët nuk kanë asgjë të përbashkët me krimin. Përkundrazi ne jemi një popull me një komb me një trashëgimi të mrekullueshme në këtë qëndrim. Po të lexoni, në librat e hershëm, do të gjeni se aty shkruhet për ne se jemi të varfër se jemi të atillë, apo të këtillë, por që të gjithë thonë një gjë, se, në rrugët dhe fshatrat e qyteteve të Shqipërisë, gruaja shqiptare ecën më e sigurt se në të gjithë Evropën. Ky është kodi ynë moral. Dhe unë për këtë kisha besim absolut se krimin do ta çonim pas hekurave, pas prangave, aty ku e ka vendin”. Ne erdhëm në pushtet, tha Berisha, kur korrupsioni ishte shndërruar në sistem, kur krimi dhe korrupsioni sundonin së bashku. Qeveritarët zotëronin monopole private, të ushqimeve dhe prodhimet mbeteshin në fushë. Siç më thanë në 2005 fermerët e Vurgut, misri i tyre kalbej sepse Ministri i Bujqësisë kishte futur OMGJ-të dhe prodhimet e tyre mbeteshin pa u shitur. Po kështu edhe monopoli i naftës, i ndërtimeve dhe kështu me radhë. “Akti i parë i kësaj qeverie ishte që qeveria dhe administrata duhet të ishin jashtë konfliktit të interesit. Unë nuk them se sot nuk ka korrupsion, por sot nuk ka zyrtarë që kanë monopole, ashtu siç i kishin 3 vjet më parë dhe nuk do të kenë derisa të jem në pushtet. Për këtë ju jap fjalën”, tha Berisha. “Të jeni të bindur, se unë jam njeri që kurrë nuk kënaqem përfundimisht me ato që kam bërë, për faktin e vetëm se çdo vit shoh se çfarë duhet të bëj më tepër. Por sot kur shoh se falangat përpiqen t’ju nxijnë ju të ardhmen, t’ju nxijnë horizontin me shpifje, trillime dhe mashtrime nga më të turpshmet, atëherë edhe unë vij tek ju për të nxjerrë në dritën e diellit para jush, se çfarë kemi bërë dhe çfarë kemi ndërmend të bëjmë. Le të marrim çështjen e anëtarësimit në NATO. Për tre muaj rresht bandat me kollare të bardha u përpoqën t’ju mashtrojnë ju se nuk do të na jepnin ftesën për në NATO. Ata janë të vetmit në botë që mashtrojnë popullin e tyre, duke u thënë se ftesa nuk do të jepet. Përse ndodh kjo. Sepse sa më afër shkojmë drejt NATO-s dhe drejt BE-së , aq më tepër ngushtohet hapësira për mafien, aq më e madhe bëhet transparenca. Këtu ata vazhdonin me shpifje dhe trillime te tjera. Korrupsion sigurisht që ka, por ka korrupsion 10 herë më pak dhe unë ia dëshmoj me fakte këtë, çdo qytetari. Ata të cilët u bien borive të korrupsionit, atyre u kemi prerë me gërshërët e ligjit mundësinë për të prerë gjoba me mjetet e tyre. Më parë, dikush bënte një artikull dhe fitonte një tender. Tani ne u themi shkruani çfarë të doni, jeni dhe do të jeni më të lirët në Evropë, por tenderët, gjobat nuk do t’i prisni ndonjëherë kësaj qeverie në mënyrë të kundra ligjshme.
Berisha: Në 3 vjet 38 miliardë lekë, për rritje pagash e pensionesh, ndërsa qeveria e mëparshme në 8 vjet 34 miliard lekë/Kryeministri Berisha tha dje gjatë takimit me banorë të Divjakës se shpenzimet e administratës, janë zvogëluar me 40 deri në 50 %, ndonëse unë udhëtoj shumë më tepër dhe i kam dyert shumë më të hapura se ata që qeverisnin më parë. “Por unë ju them, iu drejtua Berisha banorëve, se ne kemi vendosur disa kritere të cilat janë për të gjithë zyrtarët e këtij vendi. Paratë publike nuk mund të përdoren për qëllime personale apo private, ato përdoren vetëm për qëllime publike. Kjo ne na dha mundësi të kursejmë të paktën 110 milion euro shpenzime abuzive të administratës shtetërore. Korrupsioni madhor ishte në prokurimet publike. Sipas raportit të BB, 70 % e tyre bëheshin drejtpërdrejt që do të thotë se ato i jepeshin mikut apo atij që donin. Kur erdha në pushtet unë gjeta në 40 % të rasteve autoritetet kontraktuese u jepnin dosjet atyre që donin dhe përjashtonin ata që nuk donin. Sot situata është ndryshe. Në vitin 2007 në raportin e BE-së nuk ka patur asnjë tender direkt në Shqipëri. Qeveria i ndaloi me ligj ato. Sot çdo sipërmarrës, mund të tërheq çdo lloj dosje prokurimesh nga faqja e Internetit të Agjencisë së Prokurimeve. Sot po shkojmë drejt prokurimit të plotë elektronik, që do të thotë se është ulur me 20 % kostoja e përgjithshme e prokurimeve, që me fjalë të tjera do të thotë se janë kursyer disa qindra milionë dollarë vetëm në prokurimet publike. Korrupsion madhor kishte në dogana. Në doganat, tatimet dhe regjistrimet e biznesit, sipas raportit të BB, 1.4 miliard dollarë përfundonin në xhepat e kontrabandistëve , të zyrtarëve, të taksambledhësve, të ministrave, zv/ministrave e me radhë. Mund t’u them se tre vjet më parë unë kam zhvilluar një seri mbledhjesh me punonjësit e Ministrisë së Financave. Ju kam thënë në mënyrë absolute se me këtë situatë nuk pajtohem. Unë nuk mund të pranoj këtë nivel taksash të larta dhe këtë vjedhje masive, abuzive të taksave dhe hapi i parë ishte, ulja drastike e taksave. Së dyti, ato do të mblidheshin dhe nuk do të vidheshin. Sot, sërish ka korrupsion dhe pse duke ulur 150 % tatim-fitimin, në 130% taksë mbi të ardhurat personale dhe 31 % sigurimet shoqërore, pra me të gjitha këto ulje ne fusim në buxhetin e shtetit në vit, 1.2 miliard dollarë më shumë”. “Ju duhet të dini, tha Berisha, se çdo qindarkë e kësaj qeverie është qindarkë e juaja, është para e juaja, dhe qeveria është vetëm administratorja e tyre. Qeveria nuk prodhon asnjë qindarkë të vetme. Të gjitha i merr nga qytetarët, direkt apo indirekt. Ne erdhëm në pushtet dhe gjetëm një situatë të tmerrshme në administratë. Zyrtarë të lartë punonin si anëtarë të 21 bordeve. Bordet e tyre funksiononin në këtë mënyrë. Mblidheshin 5 veta që drejtonin bordin apo forumin dhe vendosnin një rrogë prej 4 milionësh për drejtorin e tyre. Dhe rrogën e tyre e përcaktonin me 30 % të rrogës së drejtorit. Kur unë erdha në pushtet, unë gjeta 2300 zyrtarë që merrnin të gjithë rroga ministrash dhe zv/ministrash, pra të gjitha keto, paratë tuaja. Ky është një moçal i turpshëm. Gjithçka ishte ndërtuar mbi konceptin e interesit.
Unë do t’u tregoj se cila është dobia e masave të marra nga ne. Ne vendosëm një rregull. Nuk mund të lihet një person më shumë se në tre borde dhe drejtori i bordit nuk mund ta ketë rrogën më shumë se sa sekretari i Përgjithshëm i një ministrie dhe natyrisht, anëtarët e bordit do të merrnin jo më shumë se 23 % të rrogës së drejtorit të bordit. Paratë e përfituara nga lufta kundër korrupsioni ne i kthyem në rritje rrogash, rritje pensionesh. Unë jam këtu për t’u informuar se ku shkojnë paratë tuaja, se çfarë bëhet me paratë tuaja. Këtë vit 1.2 miliard dollarë nga paratë tuaja shkojnë për ndërtimin e rrugëve të Shqipërisë, nga Konispoli në Valbonë. Ne do ta bëjmë Shqipërinë me një rrjet evropian modern të rrugëve , të rëndësishëm, për zhvillimin e këtij vendi. Në Lushnjë ne kemi investuar në këto dy vite në rrugë, 5 herë më shumë se sa kanë investuar qeveria e mëparshme në tetë vite të marra së bashku. Në Lushnje ne kemi investuar në ujësjellësa dhe furnizimin me ujë 2. 4 miliard lekë, kundrejt 190 milion lekëve që kanë investuar qeveria e mëparshme në 5 vjet. Kjo është e vërteta. Ne investojmë në shkolla, pasi janë me dhjetëra shkolla të reja në rikonstruksion, në këtë rreth. Ne po investojmë në rrjetin e energjisë elektrike dhe e bëmë Lushnjën me rrjet elektrik të një kapaciteti të njëjtë si Tirana. Kemi investuar 800 milion lekë në këtë fushë. Ne do të investojmë në çdo rrugë dhe rrugicë të këtij rrethi dhe të mbarë Shqipërisë. Lushnja dhe e gjithë Shqipëria do të dalin nga balta dhe do të kenë një sistem modern të rrugëve. Unë kam këtu një liste me dhjetëra e dhjetëra projekte në komunat e këtij rrethi. Unë ju jap fjalën se do t’i vizitoj të gjitha. Do t’i inspektoj dhe do t’i inauguroj ato, sepse të gjitha janë premtime të mbajtura, ashtu siç kam mbajtur premtime për NATO-n, do ta mbaj premtimin për çdo rrugicë, për çdo rrugë. Kam ardhur tre, katër vjet më parë ketu dhe e kam gjetur të parregulluar qendrën tuaj , njësoj si gropat prapa Pallatit të Kulturës në Tiranë. Sot, ajo është një lulishte shumë e bukur”. Paratë tuaja, tha Berisha, shkojnë për të paguar arsimtarët. Ne i kemi rritur me 50 % rrogat e tyre dhe do të shkojmë drejt dyfishimit të tyre. “Unë kam premtuar se nuk do të ketë pension në qytet, nën 100 dollarë, dhe ju them se janë jo të pakta vendet ish komuniste që kane pensione me 60 apo 70 dollarë. Ndërsa sot këtu tek ne nuk ka më pension nën 110 dollarë, kur them 110 dollarë nuk flas me kursin e sotshëm, por me kursin kur është bërë ky premtim. Në tetë vjet qeveria e mëparshme ka vendosur për rritje rrogash dhe pensionesh 34 miliard lekë, ndërsa ne në tre vjet kemi vendosur 38 miliard lekë në rritje rrogash dhe pensionesh. Pra ata kanë vendosur 4 miliard në vit, ndërsa ne kemi vendosur 13 miliard në vit. Pra katër herë më shumë. Ne premtuam se do të dyfishojmë pensionet në fshat , në vitin 2008. Ky zotim për ne realizohet një vit përpara afatit. Pensionet në fshat nuk do të jenë më poshtë se 68 mijë lekë”, tha më tej kryeministri Berisha.
Qeveria do të mbështesë çdo projekt, për shndërrimin e Divjakës, në një qendër turistike te niveleve më të larta/Duke përshëndetur të pranishmit, Kryeministri u shpreh se çelja e sezonit turistik, shënon një ngjarje e rëndësishme për banorët dhe për të gjithë turistët të cilët do të jenë më të shumtë në numër këtë vit. “Erdha tu përshëndes përzemërsisht në këtë ngjarje të madhe për të gjithë qytetarët e Divjakës, familjet e kësaj bashkë të mrekullueshme të Lushnjës dhe të mbarë Shqipërisë. Çelja e sezonit turistik , është çelja e sezonit të haresë, të shërbimeve ndaj pushuesve, ndër të cilët ju jeni në më të shquarit. Vitin e kaluar ju ia dolët të merrni 35 përqind turistë më shumë se një vit më parë. Ketë vit unë ju garantoj se do merrni shumë më tepër”. Kryeministri garantoi se qeveria është e angazhuar për të mbështetur çdo projekt, që do ta bëjë Divjakën një bashki moderne, të niveleve evropiane, në pritjen dhe shërbimin ndaj turistëve. “Erdha sërish këtu për tu premtuar ju se qeveria ime do të mbështesë çdo projekt në këtë bashki, në mënyrë që Divjaka të marrë tërësisht pamjen e një bashkie të mrekullueshme evropiane, me infrastrukturë moderne, me shërbime moderne, me një ndër plazhet më të bukura dhe më të pastra të Adriatikut”. Duke e cilësuar Divjakën, si një nga bukuritë më mahnitëse, të bregut të Adriatikut, Kryeministri Berisha u shpreh se me këtë inaugurim dhe me një seri inaugurimesh të tjera të punëve publike, ky qytet po merr çdo ditë e më shumë një pamje evropiane. “Këtë pamje ia japin para së gjithash qytetarët e saj, si dhe infrastruktura moderne, plazhet mahnitëse, fermerët e saj të mrekullueshëm, peshkatarët e saj, pra një gërshetim i shumë faktorëve të zhvillimit, që Divjakën e nxjerrin si një nga qendrat më turistike të vendit”. Kryeministri u shpreh se inaugurimet nuk do të reshtin si në përmirësimin e mëtejshëm të infrastrukturës, ashtu dhe në fusha të tjera, si ajo e arsimit, bujqësisë, etj, për të bërë Divjakën një model tërësisht evropian. “Kjo rrugë ka kushtuar rreth 20 milion lekë, ndërkohë një tjetër rrugë, ajo që shkon drejt plazhit, sërish ka një vlerë prej 20 milion lekë. Investimet vazhdojnë në arsim dhe në të gjitha fushat, sepse Divjaka do të jetë një model tërësisht evropian”. Kryeministri Berisha shoqërohej në këtë vizitë, nga Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, deputeti i zonës, Blerim Çela, Kryetari i Bashkisë së Divjakës, Herakli Gorea, si dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor.
Qeveria, mbështetje të gjithanshme për komunën Grabian/Kryeministri Sali Berisha garantoi të shtunën mbështetjen e qeverisë që ai kryeson për banorët e komunës së Grabianit në rrethin e Lushnjes, e cila, siç cilësoi ai, ka qenë një nga qendrat e internimit dhe të vuajtjes njerëzore gjatë diktaturës komuniste, por që po shndërrohet në një qendër të zhvillimit të krejt zonës së Myzeqesë. Në një takim me banorët në qendër të komunës së Grabianit, Kryeministri evidentoi investimet e qeverisë në infrastrukturë, në ujësjellësa dhe kanalizme në këtë zonë. Unë e garantoj kryetarin e komunës se ne do ta ndihmojmë këtë zonë në përputhje me programin tonë”, nënvizoi Kryeministri, i cili theksoi se “qeveria ka investuar 1.6 miliard lekë në ujësjellësa kundrejt 190 milion lekëve që ka investuar qeveria e mëparshme dhe rreth 2.2 milardë lekë në rrugë nga 800 milion të investuara nga qeveria e mëparshme”. Berisha vuri në dukje se qeveria që ai drejton ka investuar të paktën 6 herë më shumë se qeveria e mëparshme, ndërsa premtoi mbështetjen e qeverisë në muajt në vazhdim për krijimin e një infrastrukture moderne, duke e konkretizuar me ndërtimin e rrugës së Ballagatit dhe rrugës së Fier Sheganit. Kreu i qeverisë premtoi gjithashtu se brenda këtij viti të gjitha shkollat e kësaj komune do të kenë internetin dhe kabinetet e informatikës. Komuna Grabian është pjesë administrative e rrethit të Lushnjes në qarkun e Fierit, që ndodhet në zonën perendimore të Shqipërisë. Komuna shtrihet rrëzë ish-kënetës së Tërbufit dhe kodrave të Divjakës. Fshati Grabian është qendra administrative e komunës dhe ka një shtrirje veri- jug 1.2 km dhe lindje- perendim 0.6 km . Fshati Grabian ka një pozicion gjeografik të tillë që në një të ardhme mund të lidh bashkinë e Lushnjes me plazhin e Divjakës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›