E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha në Elbasan: Dita e Verës i gjen shqiptarët më optimistë për ndryshim

TIRANË, 14 mars /ATSH/ Me rastin e Ditës së Verës kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha vizitoi sot Elbasanin.

Në një prononcim për gazetarët, Berisha uroi qytetarët për Ditën e Verës dhe u shpreh se shqiptarët janë optimistë për ndryshimin e 11 majit.

“Dita e Verës e gjen Elbasanin, i gjen shqiptarët më optimistë, më besimplotë se kurrë në ndryshimin e madh të 11 majit”, tha Berisha.

Më tej në fjalën e tij Berisha foli për programin e PD-së.

“Dhe unë sot nga Elbasani dua t’u premtoj shqiptarëve kudo që janë se tre muajt e parë, ajo që e kemi quajtur paketë e dhembshurisë, do të nxjerrë çdo shqiptar që është në varfëri ekstreme”, tha Berisha.

“Do të thotë se do kenë një minimum jetik prej 200 eurosh. Nuk do ketë pensionist që do marrë nën 200 euro. Pra do bëhet një shpërndarje e re e të ardhurave buxhetore. Do ketë një rrogë minimale 25 përqind më të lartë se kjo që është sot, pra do jetë jo më pak se 500 euro”, u shpreh Berisha.

Berisha shtoi më tej se “do ketë një rrogë mesatare 1200 euro dhe unë zotohem para qytetarëve të Elbasanit dhe Shqipërisë dhe dua të rikujtoj këtu se për rastësi, premtimet e mia për dyfishimet e rrogave i kam bërë në këtë qytet dhe e kam mbajtur fjalën”.

“Shqipërinë po e zbraz varfëria, ndërkohë që nuk ka një vend tjetër më të pasur në pasuri natyrore. Kështu që ftoj ta vazhdojmë së bashku këtë betejë” e përmbylli Berisha fjalën e tij. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›