E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha në Elbasan: Në 100 ditë do të nxjerrim jashtë çdo vatre shqiptare varfërinë e skajshme

TIRANË, 7 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi sot takimin përmbyllës elektoral në qytetin e Elbasanit.

Në fjalën e tij Berisha tha se “12 vite në Shqipëri u ndërtua një regjim, i cili jo me hiperkolektivizim, jo me konfiskime, por me mekanizma të tjerë i varfëroi shqiptarët në atë shkallë varfërie, sa asnjë prej kombeve të tjera përreth”.

Berisha tha se “me 11 maj do të çlirohemi nga ky regjim ku ligjin e bëjnë bandat”.

Gjatë fjalës së tij Berisha u ndal edhe te prezantimi i programit të PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore.

“Unë jam sot para jush për t’u dhënë fjalën, për t’u zotuar në mënyrën më solemne se në 100 ditë dhe vetëm në 100 ditë do të nxjerrim jashtë çdo vatre shqiptare varfërinë e skajshme, do përjashtojmë mjerimin nga Shqipëria”, tha Berisha.

Berisha shtoi “se në 100 ditë, çdo pensionist që sot merr një pension në 172 lekë dhe janë rreth 560 mijë, do marrë një pension 200 euro. Se çdo rrogëulët do marrë një rrogë jo më pak se 500 euro”.

“Se çdo pensionist dhe rrogulët do të marrë ushqimet dhe gjërat bazë 20 për qind më lirë se të tjerët. Se çdo qytetar shqiptar do paguajë energjinë me 7 lekë. Se çdo qytetar shqiptar do ketë një ulje të çmimit të naftës me të paktën 40 për qind”, premtoi Berisha.

Bërisha nënvizoi më tej “jam sot këtu në këtë shesh për një zotim solemn se në 100 ditë, çdo biznesmen i Elbasanit do ta paguajë energjinë tri herë më lirë, nga 18 në 6 lekë”.

“Jam këtu për t’u dhënë fjalën bizneseve të vogla se kurrë bashkitë nuk do tatojnë më shumë se 1 për qind të xhiros. Se sipërfaqja publike do pjesëtohet me 5 herë tarifa e saj. Do përgjysmohet çmimi i ujit për to. Do rritet tavani në 180 mijë euro për tatimfitimin dhe TVSH-në. TVSH-ja do ulet në 15 për qind”, tha Berisha.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›