E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Nuk mund të bëhet Shqipëria gazi i botës duke shkuar pas një plaku të rrjedhur

TIRANË, 7 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi sot takimin përmbyllës elektoral në Fier.

Në fjalën e tij Rama ironizoi edhe opozitën të cilën e etiketoi si “këneta”. Rama shtoi se nuk mundet që demokratët e Fierit të shkojnë pas dikujt që është “gazi i botës”.

“Ndërkohë këtu në këtë shesh është e pamundur të mos prek edhe një pjesë të kësaj historie që është një pjesë e shëmtuar, një pjesë e neveritshme, “kënetën”.

“Kënetën” që u mblodh këtu në këtë shesh dhe dukej si një mbledhje mbetjesh nga Gjanica që ishin lënë këtu për t’i marrë e për t’i pastruar shiu. “Kënetën” që këtu ka zgjedhur të sjellë për të përfaqësuar Fierin në parlament, dikë që jo nuk e meriton besimin e këtij qyteti, jo nuk e meriton besimin e asnjë qyteti dhe asnjë fshati të qarkut Fier, jo nuk e meriton besimin e asnjë demokrati të zakonshëm në Fier, por nuk meriton asnjë respekt nga ky qytet dhe ky qark, dikë që është vetëm “gazi i botës”.

“Nuk mund të jetë Fieri i demokratëve i përfaqësuar nga “Gazi i botës”, nuk mund të jetë Fieri i demokratëve i ndarë mes Shqipërisë 2030 në BE dhe “Gazit të botës”, nuk mund të bëhet Fieri gazi i botës, nuk mund të bëhet Shqipëria gazi i botës duke shkuar pas një plaku të rrjedhur që nuk di më të vazhdojë fjalitë, pas një politikani të lashtë të pashpresë që ka marrë peng opozitën për interesin e tij, por kurrë nuk ka për të marrë peng më as Fierin dhe as Shqipërinë”, tha Rama.

Duke iu referuar kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha, Rama tha se “një njëri që sot duhet të ishte në shtëpi, do të marrë zvarrë Shqipërinë, siç e mori dy herë që iu dha mundësia. Asnjë herë të tretë nuk ka, sepse Shqipëria nuk ka më asnjë minutë për të humbur, shqiptarët nuk kanë më asnjë minutë për të humbur, se në ndërkohë BE, Evropa është në tryezë me ne ballë për ballë që të shfrytëzojmë çdo minutë për kohën e re të shqiptarëve”.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›