E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Fier: PD kaloi në kalvar por qëndroi për të garantuar opozitë sovrane

TIRANË, 9 tetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot gjatë zhvillimit të “Foltores së Ripërtëritjes” në Fier se, PD ka kaluar një periudhë të vështirë, por ka qëndruar për të garantuar një opozitë sovrane dhe të pavarur nga kontrolli i jashtëm.

Berisha u shpreh se ripërtëritja e Partisë Demokratike synon edhe ripërtëritjen e Shqipërisë, duke e cilësuar opozitën si një element të rëndësishëm për të ardhmen e vendit.

“Partia Demokratike kaloi një periudhë të vështirë, kaloi një kalvar të vërtetë. Por qëndroi me një vendosmëri epike, në mënyrë që Fieri, në mënyrë që Shqipëria të ketë një opozitë të vërtetë, sovrane”, tha Berisha.

Ai theksoi se beteja e PD-së ka qenë për të garantuar që partia të kontrollohet nga anëtarët e saj dhe jo nga faktorë të tjerë.

Berisha e lidhi sovranitetin e brendshëm të vendit me rolin e opozitës, duke theksuar se një vend pa opozitë nuk mund të ketë perspektivë për të ardhmen.

Kreu i PD-së vlerësoi gjithashtu demokratët që, shtoi ai, u përballën me procese të padrejta dhe me përpjekje për t’i gjunjëzuar e kontrolluar, duke i cilësuar ata si njerëz që kanë merituar dhe do të kenë gjithmonë mirënjohjen e tij.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›