Berisha në Gjakovë e Deçan për 100 vjetorin
Kryeministri, Sali Berisha ka udhëtuar sot për në Gjakovë dhe në Deçan në kuadër të kremtimeve të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, organizuar në të gjitha trevat shqiptare. Sipas Kryeministrisë, Berisha bashkë me autoritetet më të larta të Kosovës do të jetë i pranishëm në ceremonitë e vendosjes së shtatoreve të patriotëve shqiptarë në Gjakovë dhe Deçan.
Fillimisht, Kryeministri Berisha do të ndalet në komunën e Gjakovës, ku në prani të Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, të Kryeministrit Berisha dhe autoritete vendore do të zhvillohet ceremonia e zbulimit të shtatores së patriotit Ali Ibra, në qendër të këtij qyteti.
Më pas, Kryeministri do të vizitojë Deçanin. Gjatë vizitës së tij në Deçan, kryeministri Berisha do të nderohet edhe me titullin “Qytetar Nderi” i Deçanit, dhënë nga këshilli komunal. I pranishëm edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, zoti Hashim Thaçi.
Kryeministri Berisha do të nderojë kujtimin e luftëtarëve të UÇK-së në memorialin kushtuar UÇK-së, në Gllogjan, do të bëjë një vizite në familjen Haradinaj, si dhe do të vendosë buqeta me lule edhe pranë shtatoreve të heronjve Luan Haradinaj dhe Sali Çeku.
Më pas, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Thaçi do të vazhdojnë në fshatin Isniq të Deçanit, ku do të jenë të pranishëm në ceremoninë e zbulimit të shtatores së heroit Isa Boletini.