Bogdani në superformë: Shpërthej me Islandën

Erjon Bogdani
Goleadori kuqezi i lëshon një sinjal të qartë trajnerit Xhani de Biazi.
“Te Siena s’luaj prej Kozmit, në Kombëtare prisni gola”
Nuk luan te Siena, por Erjon Bogdani e ndien veten në formë të shkëlqyer dhe të gatshëm për të shpërthyer ndaj Islandës. I pyetur nga mediat pas miqësores së djeshme me Olimpikun në kompleksin “Tropika l”, sulmuesi ka treguar për problemet që ka me trajnerin Serze Kozmi, duke lëshuar edhe një sinjal për De Biazin.
Kemi marrë një fitore me Qipron dhe një humbje me Zvicrën, mendoni se forca e skuadrës sonë do tregohet pikërisht në dy ndeshjet e radhës, ndaj Islandës dhe Sllovenisë?
Kemi bërë dy ndeshje të mira, që nuk duhen hedhur poshtë. Fituam me vështirësi në pamje të parë, por me meritë, kundër Qipros dhe më pas humbëm me një nga pretendentët kryesorë në grupin tonë, ndaj Zvicrës. Tani kemi dy ndeshje të radhës, por shumë të rëndësishme për vazhdimësinë e skuadrës sonë dhe natyrisht që unë gjykoj se më së pari duhet të fokusohemi tek Islanda, duke kërkuar me patjetër fitore dhe më pas të mendojmë për Slloveninë. Nëse do fitojmë me Islandën, kam përshtypjen se do të jemi me moralin lart. Shto këtu dhe mbështetjen e tifozëve, mund të marrim rezultat edhe ndaj sllovenëve.
Në miqësoren e sotme (dje) kanë shënuar të gjithë sulmuesit, duket se kështu do ta vini në pozitë trajnerin për zgjedhjet që do të bëjë në repartin e sulmit…
Është normale kjo gjë, pasi jemi këtu që ta vëmë sa më në pozitë trajnerin dhe ai të ketë edhe sikletin e zgjedhjeve që do të bëjë. Kjo nuk besoj se e bezdis atë, përkundrazi, duhet të jetë i kënaqur me këtë fakt. Ne vërtet shënuam të gjithë sot, por të mos harrojmë se ishte thjesht një miqësore. Ne duhet t’i tregojmë më së shumti vlerat tona në ndeshjen ndaj Islandës, aty ku edhe golat vlejnë.
Ndaj Qipros e nisët nga stoli, po ndaj Islandës e shikoni veten titullar?
Po. Sigurisht që ashtu si unë, edhe çdo lojtar tjetër në këtë skuadër dëshiron të luajë titullar dhe të kontribuojë për përfaqësuesen. Megjithatë, të luash titullar apo jo është një gjë që nuk varet nga ne si lojtarë, por nga trajneri, dhe askush nuk mund t’i kontestojë zgjedhjet e tij.
Dakord, por te Siena në Itali nuk po luani thuajse fare…
Po, është e vërtetë që nuk po luaj, pasi kam probleme me trajnerin (Serze Kozmi). Gjithsesi, ju garantoj se unë stërvitem shumë mirë dhe jam në top-formë, në pritje të momentit tim. Edhe vjet në këtë kohë te Çezena nuk luaja rregullisht, por kur më aktivizoi trajneri, shënova 4 gola në pesë ndeshje. Unë jam profesionist, kam objektivat e mi personalë dhe do tentoj që në çdo moment të bëj më të mirën, qoftë edhe nëse do aktivizohem për vetëm disa minuta në lojë.
Çfarë do të thotë që keni probleme me trajnerin?
Jo, nuk janë probleme të atij tipi që mund të mendoni ju, por bëhet fjalë vetëm për probleme taktike. Siena është një skuadër e vogël dhe trajneri ka luajtur gjithnjë me një sulmues, pra me një modul loje jo edhe aq të përshtatshëm për mua. Gjithsesi, unë luaj në një kampionat të fortë si ai italian, ku herët a vonë u vjen radha të gjithëve për të treguar se sa vlejnë. Pikërisht për këtë unë nuk bëj fare polemika, stërvitem mirë dhe pres rastin tim për të treguar se sa vlej. E rëndësishme është që sot unë jam në një formë shumë të mirë dhe i gatshëm të kontribuoj për Kombëtaren shqiptare.
Mavraj
Mërgim Mavraj do të jetë në dispozicion të trajnerit për dy ndeshjet e radhës, madje me shumë gjasa do të luajë si titullar. Lojtari ka zhvilluar rregullisht miqësoren me Olimpikun dhe pasdite është stërvitur me kuqezinjtë. Kjo tregon se nuk ekziston asnjë problem dëmtimi me mbrojtësin. Faktikisht, Mavraj nuk u stërvit me skuadrën dhe as bëri përgatitje individuale dy ditë më parë. Sipas burimeve nga Kombëtarja, qendërmbrojtësi kuqezi ndiente dhimbje në ijë, por vetëm 24 orë më vonë lojtari u rikuperua.
Nga Durrësi
Leonard Karaj