E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha në Kongresin e CDU-së në Berlin, takon kandidatin për kancelar Friedrich Merz

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka marrë pjesë në Kongresin e 37-të të CDU-së në Berlin, një ngjarje që ai e cilëson si “Kongresin e Fitores”.

Kryedemokrati ka ndarë disa foto në rrjetet sociale teksa është takuar me kreun e CDU-së Friedrich Merz, i cili garon për të qenë Kancelari i ardhshëm i Gjermanisë.

Berisha gjithashtu kujtoi takimin e tij të parë me Kancelarin Helmut Kohl, 34 vjet më parë, në Bonn, duke e cilësuar si ogur të mirë për fitoren e opozitës.

“Një shtrëngim i përzemërt duarsh me Kancelarin e ardhshëm të Gjermanisë, njeriun më të fuqishëm të Europës, Friedrich Merz. 34 vite më parë, Kancelari Helmut Kohl do ishte Kryeministri i parë që do të takoja ne Bon! Ogur i bardhë për fitoren e opozitës!”, shkruan Berisha.

Berisha e cilësoi Kongresin e CDU një kongres madhështor, me të cilin po kurorëzohet fitorja e Kancelarit të ardhshëm, Frederic Merz, njeriu më të rëndësishëm të Europës.

“Pata rastin të takoj shumë miq të mëparshëm, miq të rinj dhe një shtrëngim duarsh të përzemërt me kancelarin e ardhshëm, Merz dhe me shumë personalitete të tjera të rëndësishme të kësaj partie”, u shpreh Berisha.

Berisha informoi se në të gjitha këto takime, bashkëpunimi mes Partisë Demokratike, opozitës shqiptare dhe CDU-së ka qenë një çështje kryesore.

Ai u bëri thirrje shqiptarëve në Gjermani, që në zgjedhjet e përgjithshme të shkurtit të votojnë CDU-në dhe kancelarin Merz, si zgjedhjen në interesin më të mirë të vendit ku jetojnë, por edhe të shqiptarëve në Shqipëri dhe kudo në botë.

“Pas fitores së republikanëve në SHBA, fitorja e CDU-së në Gjermani, do të thotë defakto largimin e të majtës nga skartierja evropiane dhe shqiptare”, tha Berisha.

“Natyrisht fitorja e kancelarit të ardhshëm Merz në Gjermani, pas fitores së Donald Trump është fitorja më e rëndësishme në botë për qendrën e djathtë”, tha Berisha. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›