Berisha në Kongresin e EPP: Zgjedhjet në 2013-ën, demokratike

Kryeministri Berisha ka mbajtur sot një fjalim në Kongresin Statutor të Partisë Popullore Europiane (EPP). Në fjalën e tij, kryeministri Berisha premtoi se zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2013-ës do të jenë demkratike dhe të lira.
"Vitin e ardhshëm, Shqipëria do të ketë zgjedhjet dhe unë e ndjej në ajër se votuesit janë të kënaqur me arritjet dhe ato që PD-ja ka bërë. Unë ju ftoj të vini sërish në vendin tim dhe të hapni fushatën elektorale, e cila do të jetë një nga më të bukurat, e qetë, një fushatë që do t`i bindë shqiptarët për program e ri të EPP-së, i mishëruara tërësisht në programin e Partisë Demokratike" tha Berisha.
Kryeministri Berisha ka vlerësuar edhe arritjet që ka bërë Shqipëria në vitet e fundit por shtoi se vendi ynë po përballet me vëshirësi si pasojë e krizës në Eurozonë.
“Asnjë vend në Europë nuk ka pasur situatën e veçantë të vendit tim, i cili 20 vjet më parë renditej vendi i tretë më i varfër në botë. 20 vjet më parë, të ardhurat për frymë në Shqipëri ishin 204 dollarë në vit, papunësia pothuajse 80 përqind. Partia Demokratike, e cila fitoi zgjedhjet dhe pati fatin dhe privilegjin e madh të kishte mbështetje të jashtëzakonshme nga EPP dhe partitë europiane të qendrës së djathtë, me platformën e saj e solli Shqipërinë në një situatë krejtësisht të ndryshme. Gjatë kësaj periudhe, Shqipëria ka pasur një quantum leap të vërtetë. Sot, Shqipëria i përket vendeve me të ardhura të mesme të larta, që do të thotë me të ardhura 9 mijë dollarë për frymë. Shqipëria, ende, nuk është vend i zhvilluar, por ia ka dalë të ketë disa nga treguesit bazë të vendeve të zhvilluara” tha Berisha.
Shefi i qeverisë gjithashtu vlerësoi edhe tolerancën fetare që mbizotëron në Shqipëri si një vlerë e çmuar në kulturën e vendit. "Nëse shikojnë historinë e vendit tim, vlerat nuk janë vënë kurrë në diskutim, për shkak të besimit fetar. E kundërta është e vërtetë, besimi fetar i ushqen vlerat, me një kusht themelor: shteti duhet të mbetet laik. Sekreti i tolerancës dhe respektit tonë të jashtëzakonshëm për njëri-tjetrin është fakti se me çfarëdo regjimi që Shqipëria është përballur, ne ishim një shtet laik. Shpresoj se kjo do të jetë e shumë vlefshme” shtoi Berisha.
Gjithashtu Kryeministri Berisha do të marrë pjesë në aktivitetet e organizuara nga ambasada shqiptare në Bukuresht, me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
Ai do të zhvillojë një takim me përfaqësues të familjeve të vjetra, anëtare të delegacionit të Komunitetit të Shqiptarëve të Rumanisë që morën pjesë në shpalljen e pavarësisë në Vlorë, si dhe të atyre që firmosën deklaratën e pavarësisë.
Kreu i qeverisë do të jetë i pranishëm në ceremoninë e zbulimit të pllakës përkujtimore tek Kisha “Sf. Nicolae Dintr-o Zi”, kisha që ka qenë në shërbim të shqiptareve në vitet 1911-1945 dhe ku ka dhënë meshën në gjuhën shqipe Fan S. Noli.
Gjatë këtyre takimeve, kryeministri Berisha do të shprehë mirënjohjen e thellë, për kontributin e rëndësishëm që komuniteti shqiptar në Rumani ka dhënë për pavarësinë e Shqipërisë dhe në lëvizjen kulturore shqiptare, duke u bërë një vatër e fuqishme e kësaj lëvizjeje dhe e shoqatave të shquara kulturore të atdhetarëve shqiptarë, për afirmimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit të kombit shqiptar.
Më herët kryeministri Berisha zhvilloi takime të veçanta me ish ministrin italian Franco Frattini, zëvendës kancelarin dhe ministrin e jashtëm të Austrisë Spindelegger dhe kryeministrin e Finlandës zotin Jyrki Katainen.